Ermal Tahiri, ish-futbollisti i Dinamos, tashmë drejtor i shkollës së mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. Ai e ka nisur me një deklaratë ngacmuese për Partizanin, sigurisht me shaka.
“Kur nisi ndeshja ishin të gjithë me Tiranën. Pas golit çdo gjë ndryshoi. Taktikisht Partizani ishte lart, trajneri dhe lojtarët e çuan ndeshjen ku deshën, u treguan specialistë. Ata luajtën me mend dhe ishin të kontrolluar taktikisht. Nuk luajtën hapur. Ka munguar Dinamo dhe fiton Partizani në derbi. Do humbte me ne (qesh)”, u shpreh mes të tjerash Tahiri.
“Tirana, si përpara derbit, si me Kukësin, që i duhej fitorja, ka vepruar gabim. Dyshja e qendrës së mbrojtjes së Tiranës nuk ka luajtur asnjëherë bashke. Nuk është e drejtë të luajnë në derbi. Patjetër ishte eksperiment. Ajo i dha humbjen. Aty erdhi humbja, aty u bënë gafat. Tirana ka disa ndeshje që luan, lojtarët janë të mirë. Mosha e tyre nuk e përballoi Partizanin. Partizani ka lojtarë të fortë taktikisht dhe të fortë teknikisht, ishin blind.
Golat te Tirana i kanë bërë të rinjtë, nga stoli erdhën të rinjtë. Stoli nuk kishte eksperiencën e duhur. Trajnerët e huaj kanë pasur probleme me ekipin e Partizanit. Lojtarët me emër është e vështirë t’i bëjnë bashkë. Vjet Partizani nuk tregoi që luan futboll, por ishte cinik. Ishin shumë mirë taktikisht dhe ishin të frikshëm në kundërsulm, shumë të shpejtë. Këtë herë nuk e kemi parë. Partizani nis të luante me pesë mbrojtës kur hyri Boldor. Të luash me pesë, kur je 2-0, është diçka që nuk do e bëja. Halili i dha shpejtësi krahut të majtë të sulmit. Partizani nuk ishte në ekuilibër në mbrojtje, në mesfushë po. Ka pasur një rast për penallti”. /abcnews.al