Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht dorëzimin e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri. Zëri i Amerikës nënvizon se emri i tij është dëgjuar disa herë të përmendej mes anëtarëve të një bande të trafikimit të drogës. Ndërsa Associated Press thekson se vendimi i tij është bërë për të mos penguar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Mediat ndërkombëtare kanë komentuar dhe pasqyruar dorëzimin e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri pas dyshimeve se ka lidhje me një grup kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Duke risjellë në vëmendje deklaratën e fundit të Tahirit, Zëri i Amerikës shkruan se “ish-ministri i Brendshëm u vu nën akuzë Nëntorin e shkuar, për dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare, e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve”.
Gjithashtu kjo media raporton edhe për përplasjet mes qeverisë dhe opozitës për këtë çështje. Zëri i Amerikës nënvizon se “qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte qenë një mbrojtës i flaktë i zotit Tahiri, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuanës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish-ministrit”.
Ndërkohë, ky zhvillim ka gjetur pasqyrim edhe në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press.
“Saimir Tahiri të enjten dorëzoi mandatin e tij në mënyrë që hetimi të mos qëndrojë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nënvizon agjencia prestigjoze.
Gjithashtu Associated Press raporton se vazhdimisht Tahiri ka mohuar akuzat e ngritura kundër tij se ka lidhje me një grup kriminal të trafikut të drogës. Artikulli i Associated Press është publikuar dhe në mediat amerikane si Fox News, Uashington Post, Abc News dhe shumë të tjera./abcnews.al