Kritika të ashpra erdhën sot në adresë të qeverisë nga përfaqësuesit demokratë. Ishin politikat qeverisëse në sektorin ekonomik ato që u shigjetuan ashpër nga demokratja Jorida Tabaku. Sipas saj, ekonomia e vendit është futur në një rrugë të vështirë dhe pa vizion, duke sjelle kosto për qytetaret shqiptarë.
Mosmbledhja e taksave dhe akti normativ.Sipas Partisë Demokratike këto janë dy kolonat e qeverisë së tepsisë Rama, fundin e të cilës e sjell të detajuar nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku.
“Për vitin aktual mungojnë 75 milionë USD në arkën e shtetit si pasojë e mosmbledhjes së taksave por edhe mbylljes së bizneseve”.
Më të dëmtuarit janë konsumatorët nënvizoi deputetja e Partisë Demokratike sipas të cilës dita ditës paguajnë gjithnjë e më shumë para për ushqime, veshmbathje dhe arsimim, çmime të rritura rreth 20% krahasuar me një vit më parë.
“Qytetarët po harxhojnë edhe ato pak kursime që kanë vendosur me shumë mund ndër vite, 150 milionë dollarë kanë rënë depozitat e shqiptarëve në vetëm 1 vit.
Për më tepër, e ardhmja vlerësohet e zymtë”.
Zymtësia ka rënë edhe mbi bizneset –deklaroi Jorida Tabaku.
“Ka rënë besimi në të gjithë sektorët e ekonomisë, rënie besimi prej 9.9 pikë përqindje.
Industria, -3.7 pikë përqindje.
Ndërtimi, -1.9 pikë përqindje.
Shërbimet, -8.9 pikë përqindje,
Tregtia, -3.3 pikë përqindje”.
Për opozitën është alarmante numri i bizneseve që kalojnë në gjendjen pasiv.
“Sipas të dhënave 45 biznese në ditë mbyllen në Shqipëri, ndërsa në total në këto katër vite që janë rritur taksat janë kaluar në pasiv 68.731 biznese”.
Edhe futja në TVSH e 11.500 subjekteve të biznesit të vogël tregoi se për periudhën prill – qershor 2018, u arkëtuan 5.5 milione dollare më pak se një vit më parë.
“Kjo shumë sot i mungon buxhetit të shtetit edhe sepse qeveria është treguar e shtrenjtë në bizneset e vogla, por tolerante ndaj bizneseve të mëdha, të cilat duke qenë pjesë e tregut oligark tolerohen në kontrollet tatimore, ndërkohë që sot çdo biznes i vogël ndjen kërbaçin e qeverisë”.
Në sytë e opozitës vendimet e qeverisë Rama kanë shkurtuar fondet për të përndjekurit, të papunët dhe pagat. E kanë renditur Shqipërinë ndër 15 vendet me borxhin më të lartë publik. Sot ka më pak fonde për rrugët, hekurudhën, menaxhimin e mbetjeve, arsimin dhe rininë, shëndetësinë dhe asistencën dhe më shumë për shërbimet qeveritare.
Të gjitha këto janë qeverisje e pamerituar për ekonominë e shqiptarëve –deklarojnë demokratët.
“E vetmja rrugë për të rikthyer edhe një herë ekonominë në binarët e duhura ekonomike është një taksë e sheshtë, që do të stimulojë ekonominë dhe do jetë promotori i rritjes së të ardhurave”. /abcnews.al