Tabaku për raportin e FMN, akuza qeverisë për abuzim

schedule14:40 - 7 Maj, 2019

schedule 14:40 - 7 Maj, 2019

Ish-nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë ka akuzuar qeverinë se po shkatërron ekonominë e veendit. Në një deklaratë nga selia blu, duke iu referuar konluzioneve të një dite më parë të FMN, Jordia Tabaku tha se borxhi i lartë i vendit vjen për shkak politikave të gabuara të qeverisë, të cilat i ka denoncuar që herët Partia Demokratike.

Në deklaratën e thirrur për media, ish-nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku, gjetjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar i sheh si shqetësime të artikuluara prej kohësh nga forca politike ku bën pjesë.

“Rritja e borxhit publik, ulja selektive e taksave për bizneset e disa oligarkëve dhe PPP-të korruptive kanë dobësuar ekonominë, duke ndikuar për keq në çdo familje që nuk është në biznes me qeverinë”.

Shqetësimet për rritjen ekonomike, borxhin publik dhe detyrimet e prapambetura, janë vetëm një pjesë e gjendjes kritike sipas demokratëve.

“Këtë konfirmoi edhe FMN-ja, e cila parashikon këtë vit rënie të ekonomisë për shkak të thatësirës. Borxhi i lartë publik është një faktor në dobësimin e ekonomisë dhe po ndiqet me shqetësim si nga Fondi, ashtu edhe nga opozita. Me një borxh ekonomik në kufijtë e 70% të PBB-së, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë se ka shteruar pothuajse çdo mundësi tjetër për të marrë borxh. Pavarësisht se qeveria ka gënjyer, e ka fshehur dhe nuk e ka raportuar këtë të dhënë, FMN e tha qartë se detyrimi prej 300 milionë euro është pjesë e borxhit të rritur publik”. 

Rimbursimi i TVSH-së, politikat fiskale favorizuese ndaj një grupi njerëzish dhe koncesionet dhe PP-të kanë krijuar një rrezik të vazhdueshëm në buxhetin e shtetit, thekson Tabaku.

“Investimet në infrastrukturë, që hapin vende pune dhe nxisin ekonominë, vazhdojnë të pakësohen çdo vit, sepse qeveria paguan 1.7 miliard euro ose 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për faturat e PP-vë që kanë shkuar tek një grusht oligarkësh të lidhur me qeverinë e Edi Ramës”. 

Klientelist e quan Tabaku edhe ligjin e ri për Koorporatën e Investimeve, i cili e kthen kryeministrin në pronar de facto të pasurive publike.

“Diagnoza që FMN ka për ekonominë shqiptare është se ajo vuan nga sëmundja e rrezikshme: është një ekonomi që pasuron një grusht njerëzish pranë pushtetit, që punon për pakicën dhe jo për shumicën”.

Zgjidhja për këtë vjen përmes alternativës së partisë demokratike – deklaron Tabaku – që promovon konkurencën e lirë, mundësitë e barabarta për të gjithë dhe taksa të ulëta./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!