Tabaku lexon raportin për inceneratorët: Vërtetuam krimin shtetëror, u vodhën 430 milion euro

schedule11:58 - 10 Mars, 2022

schedule 11:58 - 10 Mars, 2022

Në seancën e sotme plenarë në Kuvend, Jorida Tabaku kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët lexoi raportin përfundimatr të Partisë Demokraike.

Gjatë fjalës së saj Tabaku theksoi se kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur kapacitetet financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve. Demokratja theksoi edhe njëherë se kjo aferë u kushtoi shqiptarëve 430 milion euro.

Sipas Tabaku, qëllimi i këtij komisioni ishte që tu bëhej i qartë me prova qytetarëve kryerja e krimit shtetëror të vjedhjes së parave të shqiptarëve.

Fjala e plotë e Tabakut në Kuvend:

Në shkurtin e vitit 2018 në këtë sallë do të ftoja në një interpelancë plenare  ish ministrin e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknurin. Do ta ftoja për të debatuar mbi atë që sot njihet si “Afera e Inceneratorëve” që buxhetit të shtetit dhe taksave të shqiptarëve i kushton 430 mln euro.

Katër vite më pas jemi në këtë sallë parlamentare duke diskutuar një Raport të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve. Një pikë e rëndësishme e një denoncimi që Partia Demokratike e ka bërë vazhdimisht që nga dita e parë ku u mësua për inceneratorin e Elbasanit e deri më sot.

Një provë e pakontestueshme e një angazhimi serioz që ne si opozitë kemi ndaj kauzave, çështjeve dhe se nuk trembemi as kur kërcënohemi apo sulmohemi publikisht nga qeveria dhe padyshim tentakulat e saj në media.

Që nga tetori 2021 në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë janë zhvilluar mbi 20 seanca mbledhjesh përfshirë edhe seancat dëgjimore të 41 dëshmitarëve për t’i ofruar shqiptarëve një panoramë të qartë se si kjo mazhorancë dhe qeveria Rama ka operuar me paratë e buxhetit të shtetit nga viti 2014 e në vijim.

Sot, në një raport të plotë të shkruar nga ekspertë ligjorë, të ekonomisë, të mjedisit dhe të fushës së energjisë elektrike të gjatë 120 faqe drejtuar SPAK e mbi të gjitha qytetarëve të këtij vendi do të mund të shohim se si është zbatuar një aferë financiare korruptive në kurriz të shqiptarëve me taksat e tyre që pasurojnë 3 individë me lidhje të ngushta në qeveri.

Kjo është me pak fjalë historia që ndodh thuajse në çdo koncesion/PPP korruptive, të panjohur që me duar në xhepa vijnë për të marrë 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve. Thjesht, kësaj radhe opozita mundi ta faktojë edhe nga dëshmitë e nëpunësve civilë, qytetarëve të thjeshtë, sipërmarrësve por edhe nga padija e rigjetur e ish ministrave, sekretarit organizativ të PS, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë e kështu me radhë.

Mbi 60 orë dëgjesa publike, me qindra dokumente janë një pasuri e madhe jo vetëm për prokurorët e SPAK por edhe për këdo që dëshiron të kuptojë sadopak përfshirjen e Këshillit të Ministrave në një aferë që e bënë shkel e shko sepse menduan, siç edhe mendojnë, se nuk do t’i kapë drejtësia. Se janë të paprekshëm! Të pamposhtur!

Qëllimi ynë kryesor me krijimin e këtij Komisioni Hetimor ishte të bënim të qartë me prova e fakte për qytetarët e Shqipërisë, atë që kemi denoncuar prej vitesh;  Kryerjen e krimit shtetëror të vjedhjes së parave të Shqiptarëve me anë të vënies në dispozicion të institucioneve qeveritare në nivel qendror dhe lokal, një grupi individësh që me duar në xhepa dhe pa asnjë eksperiencë iu dhuruan tre projekte me vlerë mbi 430 mln euro.

Këta individë kishin për detyre të zbatonin vetëm një detyrë, të merrnin përsipër arkëtimin e parave nga buxheti i shtetit për vete, në kompanitë e tyre dhe më tej këto para t’ia shpërndanin përfaqësuesive të qeverisë. Këta ishin ata që mundësuan Krijimin e Skemës më të madhe Mashtruese dhe Korruptive të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri. Kjo skemë kishte si qëllim vetëm marrjen e fondeve publike, mosndërtimin e Inceneratorëve në mënyrë që të mundësohej vjedhja galopante e parave të shqiptarëve!

Qëllimi primar i këtij grupi të struktuar kriminal i përbërë nga përfaqësues të niveleve më të larta të qeverisjes qendrore së bashku me stafet në varësi të tyre, dhe padyshim edhe qeveria lokale  Nga kryetarët e bashkive të përfshirë dhe institucionet që kanë lehtësuar procedurat, mundësuar eficencën e skemës dhe mbylljen e syve për atë që ka ndodhur.

Afera masive financiare rezulton se është mbështetur në dy shtylla kryesore:

Përfitimi i kontratave koncensionare nga kompani, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pa përvojë dhe pa aftësi financiare; në shkelje të procedurave në hartimin, miratimin dhe zbatimin e kontratave koncensionare

Përdorimi i fondeve publike përmes një skeme pastrimi parash për t’i nxjerrë këto fonde jashtë vendit apo duke kryer pagesa me kompani fiktive si dhe kompani që zotërohen nga të kërkuarit në arrati Zoto-Gugallja-Mërtiri.

Zanafilla e aferës së inceneratorëve do të ngjante e pakuptueshme nëse në këtë pjesë të parë të analizës nuk do të ndaleshim tek kush ishin tre kompanitë që iniciuan tre projektet në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe mbi të gjitha kush ishin pronarët e këtyre tre kompanive.

Faktet, dokumentet, dëshmitë tregojnë se në fakt janë gjithmonë të njëjtin njerëz, të njëjtat mekanizma, të njëjta lidhje korruptive dhe praktika të paligjshme.

Formalisht, pronarët e inceneratorëve janë tre: Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Por, e vërteta është se kryepronari i inceneratorëve është vetëm shtetasi Mirel Mërtiri, ndërsa shtetasi Klodian Zoto është vartësi i tij, dhe shtetasja Stela Gugallja, është bashkëjetuesja e tij.

Megjithëse pra, ky shtetas herë përpiqet të fshihet pas një kompanie holandeze, herë pas dy kompanive italiane, e hërë pas një kompanie malteze, ai është gjithmonë i njëjti dhe shfaqet kudo sa herë që flitet për destinin e miliona eurove të përfituara nga afera e inceneratorëve.

Mirel Mërtiri pra, një person me të shkuar të dyshimtë dhe pa ndonjë sukses të madh në sipërmarrjet e tij, papritur u bë personi kyc në një nga bizneset më fitimprurëse kudo në botë. Ai “pati idenë brilante” për t’i propozuar ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ndërtimin e tre inceneratorëve, dhe ideja e tij jo vetëm u gjet “shumë interesante” për interesin publik, por të gjitha institucionet qëndrore dhe vendore u vunë në dispozicion të tij, për të implementuar “gjetjen e shekullit”, të cilën shumë vende e kishin refuzuar me vendosmëri për shkak të pasojave që prodhonte në mjedis dhe shëndetin e njerëzve. Kushdo tashmë mund të ketë ngritur pyetjen se si ka mundësi që gjithë shteti vihet në funksion të një njeriu. Dhe në fakt kjo është një pyetje e drejtë sepse kur lexon aktet, dokumentet dhe dëshmitë, shikon se si funksionarë publikë që kishin refuzuar me vendosmëri projektin, papritur “reflektojnë” dhe e miratojnë.

Përgjigja në fakt e Komisionit Hetimor, Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, medias dhe qytetarëve, duhet kërkuar në fakt të lidhjet e këtij shtetasi me persona që mbajnë funksione të larta qeveritare, njëri prej të cilave rezulton të jetë deputeti, ish-ministri i Ekonomisë, ish-ministri i Financave, ministrit i Shtetit për Rindërtimin dhe zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj. Faktet që do të paraqesim në vijim dëshmojnë për njohjen e vjetër dhe marrëdhënien e konsoliduar të këtyre dy shtetasve me njëri-tjetrin, cka në fakt edhe publikisht nuk është mohuar asnjëherë nga ministri Ahmetaj.

Një lidhje tjetër dhe njohje e vjetër e shtetasit Mërtiri, por vecanërisht e shtetasit Klodian Zoto është edhe ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Dyshja Ahmetaj – Gjiknuri duken pra, të jenë mrekullibërësit e transformimit të Mërtirit në një nga biznesmenët më të mëdhenj dhe të fuqishëm në vend. Dhe kjo jo për zemërgjërësi apo bujari, por për shkak të interesave të pastra korruptive dhe financiare që i lidhin këta shtetas me njëri-tjetrin. Mundësitë e Komisionit Hetimor për t’i shkuar më tej kësaj të vërtete të madhe, ishin të kufizuara dhe u penguan vecanërisht nga avokatët e aferës së inceneratorëve në Komision, institucione publike dhe bankat e nivelit të dytë. Megjithatë, një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i organit të akuzës, SPAK mund të zbardhë të plotë interesat që i lidhin fort me njëri-tjetrin Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjinkurin. Një ndihmë vecanërisht e madhe mund t’i vijë SPAK-ut nëse do të fokusohet te hetimi i udhëtimeve të përbashkëta që kanë realizuar këta shtetas, vendeve ku kanë qëndruar dhe aktivitetet që kanë kryer.

Kompanitë që kanë fituar kontratat koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë, nuk kanë pasur asnjë përvojë në fushën e përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.

Kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur as kapacitetete financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve, vlera operacionale e të cilave përllogaritet në rreth 150 milionë euro, pa përfshirë përfitimet e tjera nga shërbimi i depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane, prodhimin dhe shitjen e energjisë si dhe depozitimin e dherave të sigurara si një monopol përmes veprimeve dhe mosveprimeve të qeverisë qendrore dhe asaj lokale..

Në dhjetorin 2013 një vendim i qeverisë krijoi një komitet Ndërministror të përbërë nga zëvendës ministra që do të ishte hapi i parë për krijimin e terrenit për veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal që si qëllim kishte vetëm që me anë të mashtrimit,  duke krijuar situata të pavërteta, duke shfaqur shenja të qarta të korrupsionit në cdo strukturë qeverisëse të përfshirë, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave që i janë marrë padrejtësisht  taksapagueseve shqiptarë shumën e 430  mln euro

Disa javë më pas nga dita e krijmit të këtij komiteti, kryeministri Rama do të mblidhte 5 nga 11 anëtarët e këtij komitetit dhe tërësisht jashtë kuorumit të domosdoshëm do të merrte një vendim që nuk ka asnjë efekt vetëm me 3 firma të zv ministrave. Kjo në fakt ka qenë e gjithë alibia e mazhorancës që pas dëgjesave të 41 dëshmitarëve u mjaftua në një raport as 40 faqe.

E gjithë alibia që nisi nga kryeministri që nën tagrin e dëshmitarit në Komision e përdori këtë vendim si alibi e deri tek kryebashkiaku Elbasanit rrotullohet rreth një vendimi që është nul.

Nën këtë frymë dhe këtë logjikë operimi duke shkelur ligjin dhe duke shpikur procedura inekzistente, nisi dhe procedura e Inceneratorit të Elbasanit. Një procedurë që sipas fjalëve të vetë seketarit të përgjithshëm të kryeministrisë, z. Agaçi, do të niste në korrikun e vitit 2014 dhe do të vazhdonte me shpalljen e një procedure të pabazuar në ligjin e Koncesioneve/PPP. Ministri që sot ndodhet në qeli dhe pret gjykimin nisi një Koncesion të formës “Negocim pa shpallje” e cila është një procedurë që nuk ekziston në ligj.

Pikërisht edhe për këtë procedurë ai gjendet sot në arrest. Pikërisht për këtë procedurë ish dejtuesi i Agjencisë së Pokurorimit Publik, Eduart Ahmeti, do ta këshillonte ministrin Koka që të mos e vazhdonte. Pikërisht për këtë procedurë edhe ministri Cani do ta këshillonte ministrin Koka që mos ta vazhdonte.

Por, ironikisht për këtë procedurë do ta këshillonin ministrin Koka për ta vazhduar Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. I pari madje duke këmbëngulur edhe se procedura ligjore është shumë e saktë dhe e rregullt.

Më tej, minutat e mbajtura shënim të procesverbalit të mbledhje të Komisionit të Koncesioneve vazhdojnë të rrëzojnë alibinë e qeverisë se kjo procedurë nuk vazhdoi më tej.

Një shtet i tërë, i ngritur në këmbë sajon një procedurë pa bazë ligjore, në kundërshtim me çdo ligj dhe e çon atë në Këshillin e Ministrave. Aty gardiani i Këshillit të Ministrave e lejon këtë procedurë, edhe ndonëse në komisionin hetimor premtoi dërgimin e relacionit mbi të cilin është miratuar VKM-ja emblematike 907 sërishmi nuk solli gjë.

17 procedura ndërministrore, brenda 8 orëve të datës 16 dhjetor 2014 do të hyjnë në historinë e shetit modern shqiptar. 17 procedura që sot kanë pas hekurave një ministër të qeverisë Rama.

Pyetja që shumëkush prej qytetarëve dhe deputetëve të interesuar për këtë çështje mund të bëjë është e thjeshtë; pse duhej kaq nxitim? Pse duhej kaq shpejtësi? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të ndjekim ato miliona euro që taksat e çdo shqiptari kanë paguar për tre inceneratorët.

Skema e “Tre Kovave”

Kompanitë koncensionare, me mbështetjen e plotë të autoriteteve shtetërore, kanë aplikuar një lloj skeme të ngjashme me atë që në Ekonomik njihet me termin “Tre kovat”.

Skema ka rezultuar e tillë. Kompania “Albtek Energy” shpk, e cila ka fituar kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit+inceneratorit të Elbasanit.

Kompania nuk ka pasur mundësi financiare për projektin me kosto ndërtimi rreth 3 miliardë lekë të reja pa TVSH.

Pasi ka siguruar kontratën koncensionare, kompania “Albtek Energy” ka aplikuar për kredi financiare, duke përdorur si kolateral pikërisht kontratën koncensionare.

Paratë e marra me kredi, si edhe pagesat e kryera nga Qeveria, janë përdorur nga kompania për ndërtimin e landfillit+inceneratorit të Elbasanit, ndërkohë që kontrata koncensionare parashikonte që ndërtimi do të kryhej me shpenzimet e kompanisë private.

Një pjesë e parave të përfituara nëpërmjet kësaj skeme, kompania “Albtek Energy” i ka shpërndarë për konsulencë tek dy kompani të tjera, njëra e zotëruar prej pronares së “Albtek Energy”, shtetasja Stela Gugallja dhe kompania tjetër konsulente nga Klodian Zoto, një personazh që shfaqet gjerësisht në skemën e tri inceneratorëve. Pjesa tjetër e parave publike janë shpërndarë për kompaninë tjetër të Klodian Zotos, Integrated Technology Services.

Sakaq, vërehet një diferencë e qartë mes vlerës së zhdoganimeve për impiantin e inceneratorit në kontratën e nënshkruar me furnizuesin italian, ku vlera e impiantit ishte 15 mln euro me vlerën e zhdoganimeve 7.7 mln euro.

Në Elbasan është ndërtuar i vetmi incenerator i mbetjeve, një impiant i cili aktualisht nuk po funksionon. Autoritetet qeveritare rezulton se nuk kanë kryer inspektim mbi realizimin dhe cilësinë e punimeve.

Rolin e supervizorit për punimet në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, ashtu si edhe për punimet e ngjashme në Fier dhe Tiranë, e kanë kryer kompani të të njëjtit “rrjet biznesesh”.

Në dokumentat zyrtare rezulton se asnjë autoritet shtetëror nuk ka mbikëqyrur cilësinë e pajisjeve të përdorura për ndërtimin e impiantit dhe përputhshmërinë e tyre me standartet e nevojshme.

****

E njëjta skemë dublikohet me kontratën koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Fier.

Të njëjtët persona, me të njëjtat kompani, pa përvojë dhe, mbi të gjitha, pa kapacitetete financiare, me mbështetjen e pakursyer të zyrtarëve të lartë qeveritarë, marrin përsipër ndërtimin e vend-depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane në Fier, me vlerë 3.7 miliardë lekë të reja pa TVSH.

Sërish, kompania koncensionare, “Integrated Technology Ëaste Treatment, Fier”, e drejtuar në maxhorancë nga shtetasi Klodian Zoto, merr kredi financiare, duke vendosur si kolateral kontratën koncensionare.

Po sërish, e njëjta skemë, ku kompania koncensionare, e cila kishte marrë përsipër të kryente vetë investimin, nuk kryen pagesa nga buxheti i saj, por përdor shumat e parave që ka marrë si kredi dhe pagesa periodike nga buxheti i shtetit.

Po njëlloj, një pjesë e parave që përfiton kompania nga Buxheti i Shtetit, i ndan në formën e konsulencës dhe nënkontraktimeve tek shoqëri që janë “pjesë e rrjetit”, si edhe tek shoqëri fiktive, të cilat ngarkojnë koncensionarin me fatura financiare fiktive.

Në Fier, impianti i incenerimit të mbetjeve ishte parashikuar të përfundonte ndërtimin në Tetor 2019. Deri në mbylljen e punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, në Mars 2022, impianti i përpunimit të mbetjeve në Fier nuk është në funksionim, ndërkohë që Buxheti i Shtetit rezulton se ka kryer të gjithë pagesat e parashikuara në kontratën koncensionare.

 

***

Në Tiranë, “skema” ka një modifikim, megjithëse rezultati është i ngjashëm. Kontrata koncensionare parashikon të paguhet jo drejtë për drejtë nga buxheti i ministrive por përmes Transfertës së Pakushtëzuar prej Bashkive të Tiranës dhe Durrësit për ndërtimin e landfillit+inceneratorit.

Kompania fituese e kontratës koncensionare, ‘Integrated Energy BV”, njëlloj si simotrat e saj në Elbasan dhe Fier, rezulton që të jetë pa përvojë në fushën e mbetjeve dhe pa mundësi financiare.

Ajo përdor kontratën koncensionare si kolateral për të marrë kredi bankare, të cilën e përdor për fillimin e punimeve. Megjithëse kompania nuk ka nisur punimet ajo ka marrë fonde nga buxheti i shtetit përmes Bashkisë Tiranë.

Kompania koncensionare, “Integrated Energy BV”, e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, kishte përfaqësues në kohën e nënshkrimit të kontratës shtetasin Klodian Zoto, i njëjti që shfaqet në koncensionet e ngjashme në Elbasan dhe Fier.

Tarifa 29/euro për ton mbeturina është përcaktuar për shërbimin e plotë “depozitim+incenerim” të mbetjeve urbane. Mirëpo sipas përllograritjeve rezulton që kostoja reale për ton është 40.61 euro/ton.

Impianti i incenerimit të mbetjeve në Tiranë nuk është ndërtuar dhe, siç rezultoi gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlament, ai pritet të ndërtohet në vitin 2025.

Ndërkohë, nga Buxheti i Shtetit, nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, paguhet e plotë tarifa prej 40.61 euro për ton mbeturina, pavarësisht se kompania koncensionare nuk ofron shërbimin e incenerimit. Në total kompania e incenerimit ka përfituar nga buxheti i shtetit vlerën e mbi 35 mln eurove.

Sakaq, qeveria qendrore dhe ajo lokale e Bashkisë Tiranë kanë ndikuar që kompania që zotëron inceneratorin e Tiranës të përfitojë një të ardhur ekstra në formën e një monopoli. Bashkia Tiranë ka detyruar të gjithë bizneset e ndërtimit që të nënshkruajnë një kontratë me kompaninë në zotërim të inceneratorit të Tiranës. Të ardhurat që Integrated Energy BV përfiton nga ky monopol i legalizuar nga shteti kap vlerën e 48.9 mln euro.

Një tjetër e ardhur e përfituar nga kompania në pronësi të inceneratorit të Tiranës, është ajo nga Bashkia e Durrësit. Përmes veprimeve të AKUM, nën drejtimin e Alqi Bllakos, u vendos mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos pa u gjetur një zgjedhje alternative. Kështu Bashkia Durrës nisi të negocionte një kontratë me inceneratorin e Tiranës aq sa në fund përmes një tenderi publik me vlerë 10 milionë euro në formën e “Negocimit pa Shpallje” i dorëzoi 10 mln euro kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës.

Këto të ardhura kompania konceionare e inceneratorit të Tiranës i shpërndan jo vetëm në tre kompanitë e sipërcituara më sipër (ITS dhe Zoto Consulting në pronësi të Klodian Zotos si dhe SE Consulting në pronësi të Stela Gugalljas). Një tjetër metodë se si kompanitë kanë  perdorur per transferimin e kapitaleve është ajo transferimit te tyre jashte vendit.

Ky proces nënkupton që një kompani të marrë shërbime nga kompani të saja “guackë ” e të rregjistruara në vendet të njohura si parajsa fiskale. Kjo është zakonisht një mënyrë se si kompanitë që kanë bija në një vend përdorin për të kryer transferime të kapitalit apo parave në kompanitë mëma jashtë vendit. informacionet në lidhje me këto lëvizje janë shumë të qartë për tu gjetur nga përpunimi i të dhënave të marra nga Drejtoria. Përgjitjshme e Tatimeve.

Në total, prej analizës së kryer, kompanitë koncesionare kanë deklaruar të paktën 94 fatura të tilla sherbimesh në Librat e tyre  me një vlerë totale prej 24.48 mln euro, apo mesatarisht 260 mijë euro për një faturë.

****

Pra, tre kompani, pa kapacitet financiar, marrin në seri tre kontrata koncensionare, duke aplikuar skemën e “Tre kovave”, nëpërmjet të cilës, një pjesë të shumës financiare të marrë nga Buxheti i Shtetit për inceneratorin e Elbasanit, e kanë kaluar në llogaritë e koncensionarit të Fierit dhe shumat e përbashkëta i kanë kaluar më tej tek koncensionari i Tiranës.

Kompanitë koncensionare kanë qarkulluar paratë e shtetit nga njëri projekt tek tjetri dhe, në përfundim, siç rezultoi nga dokumentat e administruar nga Komisioni Hetimor Parlamentar, nuk gjenden në llogaritë bankare të shoqërive.

Të paktën për koncensionet e impiantit të mbetjeve në Elbasan dhe Tiranë, kompanitë koncensionare kishin detyrimin që të kryenin punimet nga buxhetet e tyre financiare.

Ndërkohë, asnjë prej tre impianteve të incenerimit nuk është funksional, siç rezultoi gjatë verifikimeve të kryera nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur shuma të fryra të kontratave për impiantin duke zhdoganuar një vlerë shumë herë më të vogël se sa ajo e deklaruar në kontratë. E kanë kryer këtë akt në kontratën e koncesionit të Elbasanit kur kanë premtuar një impaint me vlerë 15 mln euro duke zhdoganuar vetëm 4.5 mln euro.

Kanë operuar përmes transferimit të kapitalit financiar të kompanive bija në kompanitë e tyre mëmë. Vlera totale e kësaj transferte nga të tre kompanitë është ajo e 24.3 mln euro një shumë e cila duhet të ndiqet nga SPAK dhe duhet kuptuar ku ka shkuar dhe si është përdorur.

Rruga e tretë është ajo e krijimit të kompanive fiktive që kanë mashtruar me TVSH-në. Por, më e rëndësishmja është edhe rruga përmes së cilës kompanitë që kanë qenë aksionere apo të lidhura me inceneratorët kanë përfituar punë si nënkontraktorë me një vlerë totale prej 37.8 mln euro.

Nga e gjithë kjo shuma totale që tre kompanitë e inceneratorëve, që janë fare mirë një, kanë dërguar në rrugë të ndryshme para tek pronaët realë të tyre deri më tani 70 mln euro apo thuajse 80% të parave nga buxheti i shtetit që kanë marrë nga dita e parë e deri në vitin 2021.

Me të drejtë çdo qytetar duhet të pyesë tani se si ka mundësi që një biznesmen i panjohur si Mirel Mërtiri shndërrohet në milioner? Me të drejtë një sipërmarrës i vogël apo i mesëm që punon 12 orë në ditë në punën e tij pyet veten se çfarë aftësish të jashtëzakonshme ka Klodian Zoto që merr 36 mln euro nga të tre incenertorët në kompaninë e tij?

Siç e përmenda më sipër, kjo është një skemë reale se si funksionon korrupsioni në këtë vend. Groposon miliona euro taksa shqiptarësh, më tej një pjesë e tyre incenerohen për të prodhuar propagandën mediatike. Pikërisht këtu duhet të qendrojmë. Arsyeja përse shqiptarët dëgjuan dhe mësuan dhe ngulitën në mendje 430 mln euro nuk është sepse opozita është e zonja në propagandë. Jo!

Arsyeja se përse shqiptarët mësuan sot për 430 mln euro është sepse komisioni hetimor për inceneratorët çliroi median shqiptare nga kompania e inceneratorëve që ka paguar gati 1 mln euro për të blerë heshtjen e tyre, përpos të atyre pak që me guxim kanë vazhduar të flasin për të vërtetën e 430 mln eurove.

E gjithë kjo skemë më pas shtyu serinë e veprimeve të institucioneve lokale dhe qendrore për të ndërtuar një skemë korruptive

Ajo që konsiderohet si “aferë masive financiare” është realizuar me mbështetjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe drejtues lokalë, të cilët renditen sipas rendit kronologjik telegrafikisht më poshtë por që përfshijnë të paktën 50 zyrtarë (në vijim të Raportit janë të detajuara shkeljet e konstatuara).

Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e procedurave për koncensionin e landfillit+inceneratorit të Elbasanit.

Sejdini ka ndërmarrë hapat administrativë për shpalljen e “gjendjes së emergjencës mjedisore” në Elbasan, mbështetur në vendimin e Komitetit Ndërministror të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për “Shpalljen e fillimit të emergjencës mjedisore në Territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve është organ këshillimor dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse, referuar ligjit “Për menaxhimin e mbetjeve urbane”. Për këtë arsye, procedura administrative e nisur nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, për “shpalljen e emergjencës mjedisore në Elbasan” është në kundërshtim me ligjin, të cilat u vijuan me pasoja të rënda financiare për Buxhetin e Shtetit.

Lefter Koka, ministër i Mjedisit në periudhën 2013-2017, në kohën që janë nënshkruar kontratat koncensionare për landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Dokumentat e siguruara nga Komisioni Hetimor Parlamentar dhe deklarimet e dëshmitarëve e cilësojnë si “personazhin kyç” në zhvillimin e procedurave në kundërshtim me ligjin, për procedurat për dhënien me koncension të impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe më tej Ministër i Financave gjatë kohës që janë zhvilluar procedurat për dhënien me koncension të ndërtimit të impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Ahmetaj ka mbështetur zyrtarisht procedurën e paligjshme për kontratën koncensionare të Elbasanit, si edhe ka lejuar shpenzime mbi tavanin buxhetor për pagesat ndaj kompanive koncensionare, në kundërshtim me kuadrin ligjor.

Ahmetaj rezulton lidhje miqësore me shtetasin Mirel Mërtiri, i cili shfaqet si lidhje e fortë me të gjithë personazhet e prezantuar si pronarë e administratorë të kompanive koncensionare.

Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës në kohën e dhënies së koncensioneve për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Gjiknuri ka mbështetur procedurat e paligjshme për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, si edhe ka dështuar në mbikëqyrjen e situacioneve të punimeve të kryera nga kompanitë koncensionare, për të cilat janë lëshuar faturat financiare të paguara nga Buxheti i Shtetit.

Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Agaçi ka një rol thelbësor në shkeljet e procedurave ligjore në rastin e miratimit të kontratës koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan. Ai është përgjegjës për tolerimin dhe futjen e një projektvendimi për financimin e një kontrate e cila ishte firmosur pas një procedure të pabazuar në ligj dhe për të cilën ai ishte në dijeni.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama, në cilësinë e Kreut të Qeverisë, është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për shkeljen e procedurave nga ana e vartësve të tij, ministra, në procedurat për dhënien me koncension të landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë së Fierit.

Subashi ka përgjegjësi për ndryshimin e vendit të ndërtimit të landfill+incenerator në Fier, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Buxhetit të Shtetit.

Alqi Bllako, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në kohën e procedurave për dhënien me koncension të ndërtimit të impianteve në Fier dhe Tiranë.

Bllako është përgjegjës për ndjekjen e procedurave në kundërshtim me ligjin, si edhe për lejimin e “aferës masive financiare” që lidhet me landfill+incenerator në Fier dhe Elbasan.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj shmangu Këshillin Bashkiak dhe dha miratimin për dhënien me koncension për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Sharrë, Tiranë, në tejkalim flagrante të kompetencave të tij.

Veliaj vijon të paguajë tarifën 40.61 euro/ton për shërbimin depozitim+incenerim të mbetjeve urbane të Tiranës, ndërkohë që procesi i incenerimit nuk kryhet për mungesë të impiantit, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm kolosal Buxhetit të Shtetit.

Veliaj ka siguruar një monopol kompanisë koncesionare përmes një tarife të pamiratuar nga Këshilli Bashkiak në kundërshtim të plotë me Ligjin për Pushettin Vendor dhe gjithashtu Ligjin për Manaxhimin e Financave Vendore.

Emirjana Sako, kryetare e Bashkisë Durrës.

Znj. Sako përmes akteve të saj ka kryer një procedurë të dyshimtë të dhënies me Tender Publik të formës “Negociim pa shpallje” me vlerë fillestare të shpallur pre 2 mln eurosh dhe më pas të shndërruar në një tender publik me vlerë 10 mln euro. Ky tender publik u publikua në formatin e negocimit pa shpallje duke favorizuar kompaninë e Inceneratorit Tiranë në një prokurim publik në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike.

Lista e zyrtarëve shtetërorë që vlerëson përgjegjës për “aferën masive financiare” vijon me persona që kanë pasur poste dytësore apo pjesëmarrës në komisionet e procedurave koncensionare për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë

Përfituesit e kontratave koncensionare

Emrat dhe kompanitë

ELBASAN

Ministria e Mjedisit dhe shoqëria “Albtek Energy” shpk nënshkruajnë draft-kontratë:  “Koncesioni i formës “BOT” (ndërtim – operim – transferim) për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit”, miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 907, dt. 17.11.2014, me kosto koncensionare 2,968,257,207.00 lekë pa TVSH.

Procedura e ndjekur ishte: Negociim, pa shpallje paraprake dhe afati i koncensionit ishte 7 vjet.

Kompania “Albtek Energy” është regjistruar në 10.07.2014, në pronësi të shtetases Stela Gugallja. Në datë 11.08.2014, “Albtek Energy”, pa asnjë përvojë në fushën e trajtimit dhe incenerimit të mbetjeve, i paraqet Ministrisë së Mjedisit “Kërkesë për shprehje interesi për koncesion/ppp”, shoqëruar me një projekt paraprak prej vetëm 4 fletësh, të hartuar nga shoqëria “Integrated Technology Service”, në pronësi 100 përqind të Klodian Zotos.

Në kërkesën për shprehje interesi për koncesion/ppp, shoqëria me kapital themeltar 100.000 lekë, angazhohej për investim 22 milionë euro dhe për ndërtim impianti që do të përballonte 120 – 140 ton mbetje në ditë.

Në datën 27.10.2014, shoqëria Albtek Energy sh.p.k i paraqet Ministrisë së Mjedisit studimin teknik i impiantit, përgatur nga Ernesto Granelli, i cili shfaqet si përfaqësues i shoqërisë italiane “Energy Recuperator” spa.

Znj. Stela Gugallja, z. Ernesto Granelli si përfaqësues i “Energy Recuperator” srl, si edhe z. Mirel Mërtiri, themelojnë në 29.04.2016 shoqërinë “E.R One” shpk.

Shoqëria Albtek Energy sh.p.k ka lidhur kontrata nënkontraktimi me shoqëritë “Consulting SE Partners” sh.p.k, “Zoto Consulting” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.

“Consulting SE Partners” shpk është themeluar në Tetor 2017 dhe zotërohet në masën 80 përqind nga Stela Gugallja, njëkohësisht pronare e “Albtek Energy” që ka fituar kontratën koncensionare për landfill+incenerator në Elbasan.

Pjesa tjetër e aksioneve, 20 përqind, zotëroheshin nga z. Erton Karteshi. Z. Karteshi largohet nga kompania në dt. 30.01.2019, pasi emërohet Këshilltar i Ministrit të Financave të asaj kohe, Arben Ahmetaj dhe më tej ka vijuar funksionet edhe nën administratën e ish-ministres Anila Denaj.

“Zoto Consulting” shpk dhe “Integrated Technology Service” shpk janë në pronësi të shtetasit Klodian Zoto dhe janë themeluar konkretisht në 14.09.2017 dhe dt.02.11.2020.

Të njëjtët emra, si edhe të tjerë, gjenden edhe në procedurat e dhënies me koncension të landfill+incenerator në Fier dhe në Tiranë.

__________________________________

FIER

Në datë 15.09.2016, Ministria e Mjedisit kualifikon bashkimin e operatorëve “Integrated Technology Services” shpk & “Energy 2” srl, si fituese e procedurës “Dhënia me koncesion e ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie”, me ofertë 3,763,850,000 lekë pa TVSH.

Procedura e ndjekur ishte e llojit: Procedurë e Hapur dhe afati i koncensionit ishte 6 vjet

Kompania “Integrated Technology Service” shpk është në pronësi të z. Klodian Zoto. Ndërsa “Energy 2” srl është kompani italiane, me përfaqësues Ernesto Granelli.

Emrat “Klodian Zoto” dhe “Ernesto Granelli” ishin shfaqur më herët në procedurën koncensionare të landfill+incenerator të Elbasanit.

Para nënshkrimit të kontratës koncensionare për landfill+incenerator në Fier, ka pasur disa veprime paraprake mes kompanive private.

Këshilli i Ministrave, me vendimi-VKM nr.341, dt.04.05.2016, miraton bonusin prej 10 përqind të pikëve shoqërinë “Building Construction & Green Energy” shpk, për propozimin e pakërkuar dorëzuar Ministrisë së Mjedisit, “Për dhënien me koncesion të ndërtimit e administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.

Kompania “Building Construction & Green Energy” është themeluar në 25.11.2015, ishte në pronësi të tre ortakëve, njëri prej të cilëve, “EcoAlb Fr” zotëronte 50 përqind të aksioneve dhe “Building Construction” shpk zotëronte 30 përqind. Pjesa tjetër, 20 përqind, zotërohej nga “Devolli Group”.

“EcoAlb FR” shpk, me është themeluar në 27.10.2015, me kapital themeltar 100.000 lekë, me administrator dhe pronar shtetasen Sevi Zani, punonjëse e shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k në pronësi të Klodian Zotos.

Tre muaj më pas, në 25.01.2016, znj. Sevi Zani i shet 100 përqind të kuotave të kompanisë “EcoAlb FR” tek shoqëria “Integrated Technology Service” shpk e Klodian Zotos.

Në këtë mënyrë, Klodian Zoto zotëron edhe 50 përqind të aksioneve tek “Building Construction & Green Energy shpk, kur kjo e fundit përfiton bonusin prej 10% të pikëve për procedurën e landfill+incenerator të Fierit, në maj të vitit 2016.

Në datën 04.08.2016, “Integrated Technology Services” sh.p.k, në pronësi të shtetasit Klodian Zoto,i shet 100% të kuotave të shoqërisë shtetasit Loran Dusha (administrator aktual i Inceneratorit të Fierit).

Në 18.07.2016, publikohet shpallja e kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 28, por pa publikuar datën e hapjes së garës.

Pavarësisht kësaj, shoqëria “Building Construction & Green Energy” shpk, e cila kishte fituar bonusin prej 10 përqind të pikëve, nuk paraqitet në garë.

Në datën 15.09.2016, Ministria e Mjedisit kualifikon si fituese të koncesionit/ppp me objekt “Dhënie me koncesion e ndërtimit e administrimit te impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie” bashkimin e operatorëve “Integrated Technology Services” shpk (90%) dhe “Energy 2” SRL (10%). Formulari i njoftimit të fituesit publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 38, datë 26.09.2016.

Në datë 24.10.2016, lidhet konrata midis Ministrisë së Mjedisit dhe SPV “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k (është Joint Venture i formuar në Subjekt për Qëllim të Veçantë), me adresë fizike Rr. “Ibrahim Rrugova”, Sky Toëer, kati 13, zyra 13/2 Tiranë, e njëjta adresë me “Albtek Energy” shpk që fitoi më herët koncensionin për Landfill+Incenerator në Elbasan.

Shoqëria “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” ka si administrator shtetasin Loran Dusha, i cili shfaqej tek shoqëria “EcoAlb FR” shpk, pasi ia bleu shoqërinë Klodian Zotos, i cili më herët ia ka blerë ish-punonjëses së tij, Sevi Zani.

Pesë ditë pas lidhjes së kontratës koncesionare, shoqëria “Energy 2” srl i shet kuotat (10 përqind) shoqërisë Ndërtim Montim Patosi sh.p.k e cila bleu gjithashtu edhe 20% të kuotave të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, për vlerën 30.000 lekë

Shoqëria përfituese e Inceneratorit të Fierit është SPV në pronësi 70% Integrated Technology Services sh.p.k dhe 30% “Ndërtim Montim Patos” sh.p.k

_________________________________________

 

TIRANA

Në 28.08.2017, Ministria e Mjedisit njoftoi se shoqëria “Integrated Energy BV”, me seli në Hollandë, ishte fituese e procedurës “Dhënia Me Koncesion e Ndërtimit të Landfillit, Inceneratorit dhe Rehabilitimi i Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë” dhe kohëzgjatja e kontratës 30 vjet.

Vlera e koncensionit ishte 128.3 milionë euro pa TVSH.

Në procedurat paraprake, para shpalljes së fituesit, shfaqen sërish të njëjtët emra dhe kompani, si në koncensionet e ngjashme në Elbasan dhe Fier.

Këshilli i Ministrave, nëpërmjet Vendimi-VKM nr. 855, datë 07.12.2016, i jep Bonus prej 8%, shoqërisë “Integrated Energy BV”.

Nga relacioni i Ministrisë së Mjedisit rezulton se shoqëria përfituese e bonusit është e përbërë nga “Integrated Technology Services” sh.p.k, në pronësi të Klodian Zoto; “Energy Recuperator” spa ne pronësi të Ernesto Granelli dhe “Paul Ëurth Italia” spa.

Ortakja e kësaj shoqërie, “Energy Recuperator” spa, me administrator Ernesto Granelli (i) është njëkohësisht ortake me Stela Gugallja dhe me administrator Mirel Mërtirin tek shoqëria E.R One Albania sh.p.k; (ii) ka degë të saj në të njëjtën seli me “E.R.One Albania” sh.p.k.

*  *  *

Të nderuar qytetarë

Ju falenderoj përzemërsisht që keni ndjekur komisionin hetimor pasi keni kuptuar se qëllimi i këtij komisioni nuk ka qenë vetëm se zbardhja dhe evidentimi i asaj që qeveria Rama ka bërë me taksat tuaja.

Ju falenderoj që ndonëse me orë të tëra keni dëgjuar, më keni dërguar mesazhe mua dhe kolegëve të mi, emaile dhe thirrje duke na inkurajuar.

E vërteta nuk ka nevojë për ndonjë megafon të madh! E vërteta ndonjëherë nuk ka nevojë as për një mikrofon dhe sado e vogël qoftë ajo, sado e brishtë, sado e pafuqishme në dukje e shemb dhe gjithë artilierinë e propagandës. Madje është aq e fortë saqë edhe kollosin e oratorisë, propagandës dhe dizinformimit e rrëzon aty në tokë duke i treguar të gjithëve yllin e gënjeshtrës që shkëlqen në ballin e tij. Si një simbol të fundëm të asaj që është në të vërtetë.

Tani në emrin tuaj, në emrin e atyre qytetarëve që kanë parë me sytë e tyre aferën më korruptive, më kriminale dhe më të paligjshme në 30 vite: vjedhjen e 430 milionë euro nga një grusht njerëzish, pushtetarë dhe me lidhje të forta korruptive.

Grupi strukturuar kriminal 430 mln euro nuk mund të ishte kaq i suksesshëm nëse në mesin e tyre nuk do të kishte të përfshirë nivelet më të larta të politikës dhe shtetit, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, ministrat Ahmetaj, Gjiknuri dhe Koka, sekretarët e përgjithshëm Agaci dhe Bllako, kryebashkiakët Veliaj, Sejdini dhe Subashi, dhe një zinxhir të tërë zyrtarësh publikë, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar vjedhjen galopante të parave të shqiptarëve.

Nga sot, SPAK ka përpara tij një raport mbi 100 faqe, mbi 60 orë dëgjesa publike të këtyre funksionarëve të lartë dhe jo vetëm. Prej kohësh, shqiptarët presin drejtësi që në një farë mënyre iu është mohuar, prej kohësh qytetarët presin të shohin nga ju rezultat për atë që u është premtuar.

Tani është koha juaj të na jepni rezultatet për të cilat shqiptarët por edhe partnerët tanë strategjikë ju kanë krijuar dhe ju sponsorizojnë. Çështja e inceneratorëve nuk është një çështje jashtëzakonisht e vështirë, por dhe në qoftë e tillë falë këtij Komisioni Hetimor që kam drejtuar me gjithë energjinë dhe seriozitetin që i takon Parlamentit është thjeshtuar aq shumë saqë shumë shqiptarë e kanë të qartë.

Sytë janë nga ju! Jeni ju tanimë në sitën e provës jo për t’i provuar opozitës të drejtën apo mazhorancës gabimin! Nuk është kjo arsyeja përse jeni krijuar! Ju duhet t’i tregoni shqiptarëve që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe mos të shndërroheni si gardiani i portës së ligjit në tregimet e Kafkës.

Ka ardhur koha të na tregoni se nga çfarë stofi jeni! Shqiptarët po presin!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!