Tabaku: Lefter Koka s’ka operuar vetëm, Rama mblodhi grupin e PS te gropa e korrupsionit

schedule19:40 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 19:40 - 15 Dhjetor, 2021

Pas arrestimit të Lefter Kokës lidhur me skenën abuzive të inceneratorit të Elbasanit, SPAK ka vijuar hetimet për të paktën 15 persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë, për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

E ftuar në “Radarin Informativ” në Abc me Jonida Shehun, nënkryetarja PD Jorida Tabaku tha se historia me inceneratorin e Elbasanit nuk ka përfunduar vetëm me arrestimin e Kokës, por u shpreh se do të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë.

“Komisioni hetimor është krijuar që ta shtyjë përpara këtë hetim për ta ndihmuar SPAK dhe jo për ta penguar. Fakti që ishim duke investiguar unë besoj se e ka shtyrë SPAK që të përshpejtonte procesin e hetimit. Koka është vetëm fillimi, me inceneratorin e Elbasanit nuk është përfunduar çdo gjë vetëm me Kokën. Unë përmenda 3 ministra 3 kryetarë bashkie dhe kryeministrin, por s’e përcaktoj dot unë kë arreston SPAK, unë shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi dhe jo përfundimi”, tha Tabaku.

Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Tabaku tha se e ka shtyrë përpara hetimin e SPAK dhe nuk e ka penguar. Madje ajo foli dhe për debatin me socialistët gjatë punës në këtë komision.

“Ne kemi një komision hetimor që vazhdon punën, komisioni për inceneratorët që do vazhdojë punën në javët në vijim. Jam në një debat shumë të ashpër me kolegët socialistë për kthimin e përgjigjes, i kemi kërkuar kompanisë së incenerimit të na vërë listën e të gjithë kontraktorëve dhe s’e ka bërë këtë gjë. Së dyti i kemi kërkuar informacion të gjithë sektorit bankar për pagesa konkrete që kanë ndodhur ndaj individëve të përfshirë”, shtoi nënkryetarja e PD.

Ajo artikuloi sërish akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili sipas saj një javë më parë ka mbrojtur inceneratorët.

Rama para një jave ka qenë duke i dalë zot aferës së inceneratorëve, ka sulmuar këdo që ka folur kundër. Në momentin që mbledh grupin parlamentar te gropa e korrupsionit unë nuk besoj se Lefter Koka ka operuar i vetëm. Inceneratori i Elbasanit s’i mbetet pasuri publike bashkisë, s’ka falur asgjë inceneratori, përkundrazi ka vjedhur. Dua të citoj raportin e progresit i cili thoshte se incenerimi i mbetjeve s’është një zgjidhje e pranuar nga BE, shkon kundër standardeve të BE. Nuk ka asgjë për t’u krenuar me një aferë korruptive ku janë të përfshirë 3 ministra, 3 kryetarë bashkisë dhe vetë kryeministri”, shtoi Tabaku.

Duke folur për sherrin e ndodhur jashtë selisë blu gjatë ditës së sotme ku Albana Vokshi dhe Evi Kokalari patën një përplasje me një simpatizante të PD, Tabaku tha se nuk i pëlqen situata ku ndodhet partia në këto momente. Theksi i aksionit opozitar sipas saj duhet të fokusohet të qeveria dhe inceneratorët, e jo të kenë luftë me njëri tjetrin.

“PD është zyrtare çdo demokrat është i mirëpritur të vijë. Korridoret ishin hapur s’kishte asnjë zyrtar të PD në monetin kur ka ndodhur kjo situatë, që të kishte një koment ose reagim. Reagimet emocionale të njerëzve që ndodhen në oborr ne nuk i ndalojmë dot. Mua nuk më pëlqen situata që po kalohet në PD, mua më duket se në vend që t’i bërtasim kësaj afere, të gjithë energjitë tona duhet të ishin në këtë drejtim, opozita duhet të ishte kundrejt Ramës, jo të luftojmë njëri tjetrin”. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!