Nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku, një përgjigje ja dha ministrit të shkarkuar Arben Ahmetaj pas bilancit që ky i fundit parashtroi për vitet e tij në krye të dikasterit të Financave dhe atij të Ekonomisë. Për demokraten 2019-a do të shënojë fundin e investimeve të huaja dhe thellimin e mëtejshëm të produktit të politikave fiskale të rilindjes: pabarazisë dhe varfërimit së shqiptarëve.
2018-a në shifra, për nënkryetaren e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku, tregon tjetër histori nga ajo që ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj kërkon të parashtrojë duke tjetërsuar dhe falsifikuar të vërtetën, sipas saj. Argumentin e ndan në pesë të dhëna, kyçe sipas deputetes demokrate, për të kuptuar çfarë 2019-a pritet të sjellë. Borxhi publik i padeklaruar dhe në rritje, fundi i investimeve të huaja, detyrimet e praprambetura, rritja e taksave dhe varfërisë.
“Borxhi Publik, sipas raportit të KLSH, rezulton të jetë 73% e PBB-së dhe kjo vlerë është më e lartë se sa deklarimi i qeverisë në Komisionet Parlamentare. Ligji i Teatrit, Ligji për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ligji i inceneratorëve të gjitha këto janë disa prej mrekullive që ka kontribuar vetë ministri Ahmetaj me gjithë kapacitetet e tij dhe fuqinë e ministrit. Sipas FMN-së, borxhi publik i Shqipërisë rezulton sot 83% e PBB-së (bashkë me PPP)”.
Detyrimet e praprambetura kapin vlerën e 200 milionë eurove sipas Tabakut, ndërsa shifra e taksave të rritura nga paketa fiskale 2014 e deri më sot është e barabartë me 1.9 miliardë euro, shifër e barabartë kjo me me vlerën e kontratave të Partneritetit Publik Privat.
“Në pak fjalë shqiptarët paguajnë me taksat e tyre paratë që qeveria çon tek oligarkët”.
Sa i përket investimeve të huaja.
“Sipas raportit të BSH 51% e investimeve të huaja janë në varësi të TAP dhe Devollit ndërkohë që viti 2019 pritet të jetë viti i fundit i këtyre investimeve. Në vend që ministri Ahmetaj të na paraqiste ndonjë projekt të huaj që ai vetë ka kontribuar të sjellë në vend, vazhdon të krenohet për atë që gjeti nga paraardhësit”.
Ministri harroi të nënvizonte taksën mbi të ardhurat që është më e larta në rajon, thekson Tabaku, ashtu si harroi të përmendte futjen e TVSH-së për bizneset e vogla dhe raportet ndërkombëtare që evidentojnë problemet në politikat fiskale.
“Vetëm vitin e kaluar buxhetit të shtetit i mungojnë 126 milionë Euro si rezultat i keqmanaxhimit dhe korrupsionit”.
Konsumi i familjeve shqiptare është rritur, pohoi Tabaku, por me një vlerë të papërfillshme prej 0.6% për 90% të shqiptarëve, ndërkohë që vlera e produkteve në treg është rritur ndjeshëm.
“Rritja e energjisë me 25%, rritja e tarifave të arsimit me 33%, rritja e ujit me 44% dhe shtrenjtimi i produkteve ushqimore me 20 përqind kanë varfëruar në masë shqiptarët”.
Është taksa e sheshtë ajo që do të çlirojë kapitalin, ndihmojë punësimin dhe ndalojë bizneset të ulin qepenat duke rikthyer ekonominë konkuruese, përfundon në deklaratën e saj Jorida Tabaku./abcnews.al