Roberto Mancini dëshiron t’i nisë me fitore eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Italia pret Irlandën e Veriut në Parma nesër në mbrëmje (20:45). Në grupin C bëjnë pjesë edhe Zvicra, Bullgaria dhe Lituania. Trajneri i Italisë flet rreth duelit kundër ekipit ishullor në prononcimin për mediat.
“Është gjithmonë bukur të përfaqësosh kombin tënd. Është ndeshja e parë e eliminatoreve dhe paraqet vështirësi të mëdha për arsye të ndryshme. Kemi muaj pa luajtur, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përqendruar, pasi duam të nisim me këmbën e mbarë.
Formacioni? Kam vetëm një dilemë. Sot vijnë edhe lojtarët e Interit, kështu që do të vlerësojmë me kujdes së kush do të luajë dhe kush do të ulet në stol. Irlanda e Veriut është një kundërshtar klasik britanik, ata janë shumë të rrezikshëm në kundërsulm.
Nuk duhet t’u lejojmë hapësira. Ata mbrohen shumë mirë dhe janë të fortë fizikisht. Është pak problem të luajmë tre ndeshje radhazi me intensitet të lartë në një kohë të shkurtër, nuk është aspak e thjeshtë për ne.
Italia ime ka personalitet dhe mentalitet, në dy vitet e fundit kemi luajtur gjithmonë me përqendrimin e duhur. Ka një rëndësi të madhe ta nisim me fitore“, deklaroi Mancini. Pas sfidës shtëpiake me Irlandën e Veriut, Italia luan në transfertë kundër Bullgarisë dhe Lituanisë. /abcnews.al