“Ta dinë të gjithë puçistët”, Meta në “Log”: Arsyeja përse nuk do ta çoja mandatin deri në fund

schedule22:53 - 23 Nëntor, 2020

schedule 22:53 - 23 Nëntor, 2020

Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ftuar në emision “Log” përballë gazetarit Endri Xhafo foli për situatën politike në vend.

Gjatë fjalës së tij Meta theksoi se do të vijojë të jetë në shërbim të Kushtetutës dhe popullit shqiptar.

I pyetur nëse kryeministri Edi Rama do të fitojë apo jo zgjedhjet, për presidentin kryeministri Rama nuk i ka fituar asnjëherë.

Lexo edhe: Rimbursimi i ilaçeve anti-covid, Meta në “Log”: E vonuar, qeveria të blejë bombola oksigjeni

Meta gjithashtu theksoi se do të jetë shërbim të popullit dhe se nga detyra e Presidentit të Republikës mund të largohet vetëm kur populli shqiptar të marrë në dorë fatet e tij.

Pjesë nga intervista në studio:

Pyetje: Mund të fitojë Edi Rama më 25 prill?

Meta: Edi Rama s’ka fituar asnjëherë në Shqipëri. Koha e ndryshimit ishte në 2017, dhe iku. Marrëveshja e 17 majit vrau zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Tani them duhet përmbysje sepse jemi si në ‘90. Rotacioni ndodh në një vend normal, kur 4 vjet qeveris dikush dhe populli kërkon ndryshimin. Këtu nuk bëhet fjala për ndryshim mazhorance, bëhet fjalë të ikin oligarkët dhe të vijë populli shqiptar. Vota duhet të jetë e paprekshme, ky është ndryshimi.

Pyetja: Për çfarë arsye Ilir Meta mund të mos vazhdonte mandatin deri në fund?

Meta: Ilir Meta është në shërbim të popullit. Ta dinë të gjithë puçistët, Ilir Meta ikën nga kjo detyrë dhe nga çdo detyrë që të caktojë populli shqiptar,  kur ai të marrë në dorë fatet e tij.

Pyetje: Fjalë që qarkullojnë se Ilir Meta në janar do të lërë presidencën për tu vënë në krye të një lëvizje të re, sa të vërteta janë?

Meta: Nuk ekziston asnjë mundësi e tillë. Deri në 26 prill, Ilir Meta do të jetë në këtë detyrë dhe nuk do t’i japë kënaqësi askujt që Edi Rama, të vendosë në këtë pozicion një kukull. Ilir Metën e kanë provokuar për ta lënë këtë detyrë.

Më tej Meta shtoi se sipas tij gabimi i vetëm që ka bërë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është lënia e mandateve:  “I vetmi gabim që nuk ia fal Monika Kryemadhit është lënia e mandateve”, u shpreh ai.  /abcnews.al/