Zhdukja e ministrit kinez të Mbrojtjes, Li Shangfu e vë në pah natyrën komplekse të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, kanë thënë diplomatët dhe analistët.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar të premten se Li është duke u hetuar për korrupsion gjatë prokurimit të pajisjeve ushtarake sa ka qenë në një tjetër pozitë.
Edhe tetë zyrtarë tjerë kinezë janë duke u hetuar. Për fatin e tyre nuk ka shumë informacione zyrtare.
Sa i fuqishëm ka qenë Li Shangfu në sistemin e ushtrisë?
Në sistemin kinez, ministri për Mbrojtje Kombëtare konsiderohet me shumë më pak pushtet sesa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, dhe shumë pozita tjera të barasvlefshme në botë.
Kjo pozitë është në thelb diplomatike dhe ka rol ceremonial, pa ndonjë funksion direkt komande.
Megjithatë, Li është në mesin e gjashtë zyrtarëve ushtarakë që janë nën komandën e komandantit të përgjithshëm Xi Jinping, dhe ai është një prej pesë këshilltarëve të shtetit, një pozitë më e lartë sesa ajo e një ministri tjetër të kabinetit.
Si inxhinier i hapësirës ajrore, i cili ka punuar në programin satelitor të Kinës, Li është parë si teknokrat, i cili ka ndihmuar në zbatim të idesë së Xi-së për modernizim të ushtrisë, kanë thënë analistët.
Si funksionon sistemi ushtarak kinez?
Ushtria kineze është krahu i armatosur i Partisë Komuniste në pushtet dhe, sipas raportit vjetor të Pentagonit për ushtrinë kineze, “ajo nuk i shërben direkt shtetit, mirëpo është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të partisë”.
Teksa është rritur në këtë pozitë, Li është dashur që ta dëshmojë se është absolutisht besnik ndaj partisë dhe Xi-së. Ushtria Çlirimtare Popullore ende funksionon me një kuadër aktiv komisarësh politikë, të cilët janë në krah të zinxhirit komandues.
Sistemi i komisarëve nuk ka fuqi të barasvlershme sikurse në ushtritë e vendeve tjera komuniste.
Në fakt, Komisioni Qendror Ushtarak përbën trupin më të lartë vendimmarrës për çështje ushtarake.
“Prej kur është bërë udhëheqës i këtij Komisioni, Xi Jinping ka nisur zbatimin e shumë reformave duke e zvogëluar autonominë e ushtrisë dhe duke e rritur kontrollin e partisë mbi ushtrinë”, është thënë në vlerësimin e Pentagonit, i cili është lëshuar në nëntor të vitit 2022.
Sipas ekspertëve, diçka e tillë e shton paqartësinë për ushtrinë kineze, përtej sekreteve që i ka secila ushtri.
A kanë rëndësi këto dallime kaq të mëdha?
Natyrisht që po. Ushtria kineze është ushtria më e madhe në botë dhe është duke u bërë secilën herë e më moderne.
Teksa siguron armë të reja, ajo synon t’i ndryshojë edhe sistemet, përfshirë krijimin e sistemeve të reja siç është një komandë e unifikuar rajonale dhe një Forcë Strategjike, e cila do t’i mbulojë kapacitetet hapësinore dhe kibernetike të Kinës.
Li ka qenë zëvëndëskomandant i kësaj force prej vitit 2016.
Me zgjerimin e fuqisë së ushtrisë kineze, ushtritë e huaja janë secilën herë e më të interesuara që të mësojnë se si funksion forca kineze dhe çfarë synime ka.
Zhdukja e Li-së i ka rritur shqetësimet në mesin e disa diplomatëve dhe analistëve se ushtria kineze po pengohet nga një forcë e brendshme e sigurisë.
Shefat amerikanë të Mbrojtjes janë shumë të interesuar që t’i rikthejnë komunikimet rutinore me homologët e tyre kinezë, teksa rriten tensionet rajonale.
Li, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara më 2018, për blerjen e armëve ruse, i ka shmangur diskutimet zyrtare me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin në Singapor, në qershor të këtij viti.
Pas bisedimeve të zhvilluara në fundjavë në mes të këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi në Maltë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë pak mundësi për shkrirje të akullit që ekziston në komunikimet mes dy vendeve.
Edhe nëse Kina e emëron një zyrtar të ri të Mbrojtjes dhe e lejon të takohet me Austinin, disa analistë besojnë se një figurë e lartë kineze, sikurse zëvëndëudhëheqësi i Komisionit Qendror Ushtarak dhe aleati i ngushtë i XI-së, Zhang Youxia, do të mund të jetë figurë e denjë për atë pozitë.
Duke e marrë parasysh gjithë këtë situatë, një konferencë ndërkombëtare për sigurinë, në të cilën ishte planifikuar që të merrte pjesë Li, tani do të marrë vëmendje të veçantë.
Një pikë tjetër me rëndësi
Nëse Li nuk paraqitet në Forumin Xiangshan, organizimin më të madh diplomatik në fushën e mbrojtjes në Kinë, kjo nënkupton se ai është ende në mbajtje dhe në fazë të hetimeve.
Diplomatët kanë thënë se Kina pritet ta organizojë forumin në pjesën e dytë të tetorit, por ende nuk i ka nisur ftesat – hap veçse i vonshëm për standardet e Kinës.
Forumi Xiangshan është një konferencë e nivelit të lartë përmes së cilit Kina tenton t’i formësojë diskutimet globale në fushën e mbrojtjes.
Kur është mbajtur për herë të fundit me prezencë fizike, më 2019, në të kanë marrë pjesë 530 zyrtarë ushtarakë dhe hulumtues, përfshirë ministrat e Mbrojtjes nga 23 shtete.
Ministri kinez i Mbrojtjes zakonisht e mban një fjalim në këtë forum dhe takohet me delegacionet e ftuara./REL