“Synojmë vendin e dytë dhe Europa League”, Giroud pas fitores: Jam shumë krenar që luaj në këtë klub

schedule19:56 - 6 Prill, 2024

schedule 19:56 - 6 Prill, 2024

Nuk mund të kishte rezultat tjetër, sidomos kur një kundërshtar, si Leçe është me 10 lojtarë, në fushën e blertë. “Kuqezinjtë” e Milan kanë treguar “dhëmbët”, mesditën e kësaj të shtune, teksa në “mitikun” e Milanos, “San Siro” mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, skuadrën e Ylber Ramadanit, në përballjen e vlefshme për javën e 31-të, të Serie A.

Për mediat, në përfundimin e sfidës, një koment të shkurtër e bëri edhe autori i një prej tre golave, të Milan, Olivier Giroud, i cili fillimisht u shpreh se objektivi i “Djajve, në momentin e tyre më të mirë të sezonit është padyshim vendi i dytë në kampionat, si dhe fitimi i Europa Lague, teksa më tej foli edhe për aludimet e shumta, për një kalim në MLS.

“Milani më i mirë i sezonit? Po, e ndjej. E donim me çdo kusht fitoren e pestë radhazi. Sot luajtëm shumë mirë. E dinim që Leçe nuk pësonte prej dy ndeshjesh, por ne treguam dëshirë për të shënuar gola dhe për të qenë efektivë përpara portës. Skuadra ndodhet mirë mendërisht dhe fizikisht. Jemi të fokusuar në realizimin e objektivave. Që janë vendi i dytë dhe Europa League.

E ardhmja? Nuk dua të flas për të ardhmen time. Sot jam milanist, jam shumë krenar që luaj për këtë klub dhe dua ta mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Të shohim se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Tani kemi Romën dhe ndeshje të tjera të rëndësishme”,- u shpreh pas ndeshjes, “veterani” 37-vjeçar i sulmit.

Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani, “Kuqezinjtë” janë në një pozicion të mirë në kampionat, teksa ndodhen në vendin e dytë të tabelës, me 68 pikë, 9 më shumë se “Bardhezinjtë” e Juventus, ndërsa të enjten do të zhvillojnë ndeshjen e parë çerekfinale, të UEFA Europa League, teksa në arenën e “San Siro” do të presin “Gladiatorët” e Roma-s. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!