Sylvinho ndalesë në Spanjë, takime me Balliun dhe Baren gjatë fundjavës

schedule15:45 - 2 Tetor, 2023

schedule 15:45 - 2 Tetor, 2023

Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior ka zhvilluar takime pune këtë fundjavë me dy lojtarët e Kombëtares, Ivan Balliu dhe Keidi Bare.

Tekniku ka udhëtuar drejt Spanjës së bashku me ndihmësin e tij, Pablo Zabaleta, ku fillimisht janë ndalur në Madrid për të ndjekur ndeshjen Rayo Vallecano-Mallorca, që mbaroi me rezultatin 2-2 dhe ku mbrojtësi shqiptar Balliu luajti për 90 minuta.

Pas ndeshjes, Sylvinho dhe Zabaleta janë takuar me futbollistin shqiptar dhe kanë diskutuar për formën e tij dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në muajin tetor ndaj Republikës Çeke dhe Bullgarisë.

Më pas, dy teknikët janë ndaluar edhe në Barcelonë, ku janë takuar me mesfushorin Keidi Bare, i cili aktivizohet me ekipin katalanas të Espanyol dhe kanë diskutuar gjithashtu me të për impenjimet e ardhshme të Kombëtares në kualifikueset e Euro 2024.

Trajneri kuqezi ka zhvilluar një tur takimesh gjatë javëve të fundit me lojtarët e Kombëtares në kuadër të përgatitjeve për grumbullimin e radhës që do të nisë më 8 tetor 2023./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!