Padyshim një nga surprizat më të këndshme, përveç tifozëve tanë, në këtë Kampionat Evropian ishte edhe Arbër Hoxha, me anësorin e majtë të sulmit që tregoi vlerat e tij në radhët e “Kuqezinjve”, edhe pse ishte një nga afrimet më të fundit të teknikut Sylvinho, para publikimit të listës së të grumbulluarve, për në Gjermani.
Loja e tij ofensive e bëri Hoxhën një lojtar të vlerësuar nga tifozët, teksa vetë lojtari nuk ka ngurruar ta cilësojë si realizimin e ëndrrës së tij praninë në Evropian me fanellën “kuqezi”, teksa nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai ka treguar emocionet e tij pasi Shqipëria i dha lamtumirën turneut në Gjermani.
“Fillimisht faleminderit të gjithë atyre që më bënë të mundur realizimin e ëndrrës sime të madhe. Nuk ka sukses më të lartë për një sportist se të veshë dhe të ndjejë ngjyrat më të bukura të kombit tonë. Faleminderit tifozë të mrekullueshëm për këto emocione të pa përjetuara më parë, se unë jam krenar, ama shumë krenar, qe jam Shqiptar”,- shkruan “fantazisti”, në profilin e tij, në “Instagram”. /i.m /abcnews.al