Superliga shqiptare fillon nesër ndeshjet e javës së dytë, për shkak të impenjimit të kombëtares në Euro 2020. Teuta e Tirana janë në pozita të pabarabarta në krahasim me rivalët e tjerë.
Superliga duhet të nxitojë për shkak të kombëtares. Ndeshjet e javës së dytë do të luhen pa mbërritur mirë mesjava, për shkak të fillimit të ciklit të eliminatoreve të Europianit.
Të martën, pra nesër në orën 19:00, do të dalin në fushë Teuta me Tiranën, dy nga skuadrat që e nisën kampionatin me fitore.
Kryeqytetasit dhe durrsakët luajtën të shtunën, pra do të kenë vetëm dy ditë të plota pushim për sfidën e radhës, diçka që i vendos në pozicion më të pabarabartë sesa Kukësi e Partizani, pretendentë të tjerë për titull.
Veriorët dhe të kuqtë luajtën mes tyre të premten në “Elbasan Arena”, ndërsa duelet e javës së dytë do t’i kenë të mërkurën, duke pasur plot 4 ditë pushim.
Kuksianët do të shkojnë në Vlorë, në fushën e Flamurtarit, ndërsa skuadra e trajnerit Lerda do të ketë një tjetër udhëtim jashtë fushe, këtë herë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.
Gjasat janë që kryeqytetasit të prishin mallkimin e fushës gjirokastrite ku kanë 22 vjet pa fituar, aq më tepër që vendasit duken të papërgatitur. Gjithsesi, sezonin e kaluar u eliminuan nga Kupa prej Luftëtarit dhe u mundën në Superligë brenda në “Selman Stërmasi”.
Një ndeshje e fortë pritet në Kurbin, mes Laçit e Skënderbeut, ndërsa Vllaznia shkon në Ballsh ndaj Bylisit, pas fitores së parë në “Loro Boriçi”./ABC News Albania 24/7