Superliga e Greqisë/ AEK e PAOK ndajnë pikët, Panathinaikos i bën “presion” kryesuesve

schedule21:36 - 7 Prill, 2024

schedule 21:36 - 7 Prill, 2024

AEK Athens dhe PAOK barazuan 2-2 në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 30-të, në Superligën e Greqisë. Pjesa e parë ishte më pozitive për AEK-un, me këta të fundit që zhbllokuan sfidën me anën e Gacinovic. Pas kthimit nga pushimi ishte Amrabat që dyfishoi rezultatin për të besuarit e trajnerit Almeyda.

Miqtë nuk kishin si të ishin të kënaqur me këtë rezultat dhe ngushtuan diferencën në të 62-tën. Pak para fundit, atëherë kur të gjithë po prisnin akordimin e minutave shtesë, Magomed Ozdoev barazoi shifrat, me një gol që mund të jetë realizimi më i rëndësishëm i këtij sezoni për PAOK-un, teksa pas kësaj ndeshjeje, “Bardhezinjtë” e PAOK mbeten në vendin e parë me 67 pikë, ndërsa AEK-u më një më pak. Vendin e tretë e mban Panathinaikos me 65 pikë.

Më herët, Panathinaikos arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme që e mban në garë për titullin kampion në Greqi. Skuadra nga Athina shënoi 2 gola në pjesën e dytë për të vulosur tri pikët ndaj Arisit të Selanikut. Sulmuesi kryesor i Panathinaikos, Sporar zhbllokoi shifrat në të 62′-ën, duke kaluar miqtë në avantazh. Në fund, në minutën e 92′-të, Brabec ishte i pafat, pasi shënoi në portën e tij, duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!