“Superliga do zhvillohet, UEFA fiton para nga lojtarët tanë dhe nuk na ndihmoi në krizë”

schedule10:46 - 21 Prill, 2021

schedule 10:46 - 21 Prill, 2021

Andrea Agnelli nuk dorëzohet. Presidenti i Juventusit ka ritheksuar, në një intervistë për gazetën ‘La Reppublica’, qëllimin e tij për të vazhduar me projektin e Superligës së Europës, pavarësisht nga vështirësitë që ata kanë hasur në orët e fundit, veçanërisht pas largimit të 6 klubeve të Premier League.

Agnelli siguron prerazi në gazetën italiane se ka një pakt gjaku midis klubeve dhe ne vazhdojmë përpara. Si pas tij “ky projekt do të jetë tërësisht i suksesshëm”.

Kreu i klubit torinez gjithashtu shpjegon: “Ne mbajmë një dialog të hapur me institucionet e FIFA-s dhe UEFA-s. Ajo që ne po bëjmë është krejtësisht e ligjshme. Ne jemi duke ushtruar një liri të parashikuar në Traktatin e BE-së”.

Agnelli këmbëngul se Superliga është një kampionat i hapur. “Janë pesë vende të lira dhe Superliga adreson problemin më të madh në industrinë e futbollit, që është mungesa e stabilitetit. Është koha për të vepruar”.

Lidhur me UEFA, ai pohon: “Ajo menaxhon të drejtat tona, i shet ato, vendos sa do të na rishpërndajë dhe gjithashtu na rregullon. Pa u përballur me rreziqe ekonomike. FIFA dhe UEFA bëjnë të ardhura të mëdha nga lojtarët tanë, por ata nuk na kanë ndihmuar në mes të krizës. Ata duhet të zgjedhin: ose janë rregullatorë ose nxitës komercialë”.

 

“Në Gjermani, Bayern ka tetë tituj radhazi. Në Francë ka hegjemoni, në Spanjë duopol Barça-Real dhe në Itali, në njëqind vjet, 80 kampionate janë fituar nga Juventusi, Milani dhe Interi.

Kështu që ambicia e ekipeve të vogla është e ligjshme, por ne kemi një statistikë njëqindvjeçare”, shprehet ai në lidhje me mospërfshirjen e klubeve si Sevilla, Atalanta apo Ajax. Në fund, në lidhje me reagimin e lojtarëve të Juventusit, ai tregon: “Ata më pyetën kur fillon”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!