Superiore: Tirana në Ballsh për të ruajtur kreun, Erzeni dhe Kukësi “në luftë” për një vend në Evropë

schedule09:47 - 18 Mars, 2023

schedule 09:47 - 18 Mars, 2023

Ditën e sotme, më 18 mars, do të luhen dy ndeshje të raundit të 26-të të Superligës shqiptare.

Bylisi do të presë në shtëpi kryesuesit e Tiranës, një përballje e cila pritet të jetë e luftuar nga të dyja, edhe pse favorit shihet ekipi kryeqytetas.

Ballshiotët ndodhen aktualisht në vendin e nëntë të tabelës, pra në vendin e parafundit me 27 pikë duke rrezikuar rënien nga kategoria. Kështu, Bylisi do të luftojë për të qendruar në këtë kategori, por sigurisht nuk do të jetë aspak e lehtë përballë bardhebluve. Tirana ndodhet në vendin e parë me 43 pikë, 2 më shumë se Partizani, dhe sigurisht bardheblutë do të duan të marrin tre pikët sot për të krijuar shkëputje nga rivalët e tyre.

Sfida tjetër është gjithashtu tepër interesante, ajo mes Erzenit dhe Kukësit. Shijakasit ndodhen në vendin e katërt me 36 pikë, ndërsa verilindorët në vendin e pestë me 34 pikë. Të dyja klubet ndodhen shumë pranë njëra tjetrës dhe sigurisht e gjithë beteja do të bëhet për një vend në kompeticionet evropiane.

Dy sfidat e sotme të raundit të 26-të në Superiore:

Bylis-Tirana, ora 14:00.

Erzeni-Kukësi, ora 17:00./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!