Sunak ka lavdëruar qëndrueshmërinë e popullit ukrainas dhe gjithashtu ka thënë se populli britanik duhet të jetë krenar që Mbretëria e Bashkuar është në zemër të NATO-s.
Ai gjithashtu ka vlerësuar NATO-n si aleancën më të suksesshme në histori dhe tha se janë më të bashkuar se kurrë më parë.
“Nuk ka shembull më të mirë të aftësisë sonë për t’i bashkuar të gjithë këta elementë dhe për të udhëhequr në skenën botërore sesa përgjigja jonë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Diplomatët tanë kanë udhëhequr përpjekjen e paprecedentë për të koordinuar sanksionet kundër ekonomisë ruse.
Muajin e kaluar ne organizuam konferencën e rimëkëmbjes së Ukrainës, duke mbledhur mbi 16 miliardë dollarë për të ndihmuar në rindërtimin e ekonomisë së Ukrainës.
Dhe ne kemi mbështetur luftën e Ukrainës për lirinë dhe sovranitetin e saj që nga fillimi. Si vendi i parë në botë që trajnon trupat ukrainase. I pari në Europë që ofroi armë vdekjeprurëse.
Të parët që dërguan tanke dhe raketa me rreze të gjatë. Dhe tani ne jemi në ballë të një koalicioni për të pajisur forcat ajrore ukrainase, me pilotët ukrainas që fillojnë trajnimin e tyre këtu në vetëm disa javë.
Ne i bëjmë të gjitha këto sepse është e drejtë. Sepse mbron vlerat dhe interesat tona. Sepse mbron të gjithë njerëzit dhe aleatët tanë. Dhe sepse shumë thjesht, jemi ata që jemi si shtet.
Ne ishim atje në fillimin e aleancës së NATO-s. Dhe këtë javë, ne kemi treguar edhe një herë se ne mbetemi në zemrën e saj,” tha Sunak.
Duke iu përgjigjur deklaratës, kreu i partisë opozitare Laburiste Keir Starmer tha se edhe nëse do të kishte një ndryshim të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar, asgjë nuk do të ndryshonte vendosmërinë e vendit për të mbështetur Ukrainën.
/abcnews.al