Sulmuesi Lukaku, takohen në Londër drejtuesit e Interit dhe Manchester United

schedule13:30 - 12 Korrik, 2019

schedule 13:30 - 12 Korrik, 2019

Skuadra e Interit është prane arritjes së akordit me Manchester United për sulmuesin Lukaku. Drejtuesit e te dyja klubeve u takuan në Londër dhe në ditët në vijim pritet oferta zyrtare.

Skuadra e Interit merr sinjale pozitive nga takimi i drejtorit të klubit Ausilio me drejtuesit e skuadrës së Manchester United për të arritur një marrëveshje për sulmuesin Romelu Lukaku. Shtatlarti belg është objektivi kryesor i Interit në këto merkato verore. Ausilio udhëtoi drejt Londrës ku mbajti një takim me zyrtaret e klubit anglez, por nuk zbuloi shumë detaje.

“Zhvilluam një takim me drejtuesit e Manchesterit për Lukakun. Ishte një takim zyrtar mes dy klubeve. Do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Kemi miratimin e trajnerit Konte për futbollistët që po ndjekim në merkato. Duhet t’i plotësojmë dëshirat trajnerit duke llogaritur të ardhurat financiare”.

Mediat britanike zbulojnë se sulmuesi i Manchester United i ka kërkuar drejtuesve të klubit largimin pasi trajneri Solskjaer e ka informuar futbollistin se nuk do të jetë sulmuesi i parë në skuadër dhe do të inkuadrohet në lojë vetëm nga stoli. Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak Lukakut, i cili preferon të transferohet në San Siro ku trajneri i Interit Antonio Konte e ka vendosur futbollistin në qendër të projektit. Lukaku aktivizohet prej dy sezonesh me Manchester United por nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë apo të shkëlqejë si tek skuadra e Everton. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!