Sulmohet servisi i makinave, plagoset pronari

schedule12:42 - 11 Maj, 2018

schedule 12:42 - 11 Maj, 2018

Një biznesmen në Vaun e Dejës u sulmua dhe u plagos nga disa persona të cilët hynë me forcë në ambjentet e pronës së tij, një servis makinash. Ai ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës.

Pronari i një servisi makinash në Laç të Vaut të Dejës u qëllua me armë zjarri, pasi një sherri mes autorëve dhe punëtorëve të tij. Ermir Simoni 42 vjeç ndodhet në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas policisë disa persona kanë hyrë në servis dhe i kërkuan punëtorëve t’u rregullonin makinën me urgjencë. Pas debatit mes palëve në servis ka shkuar pronari i cili tentoi të shuante konfliktin, por njëri nga agresorët e qëllon me pistoletë.

Por një nga punëtorët ka dëshmuar se këta persona kishin qenë dhe një herë tjetër dhe kishin kërkuar vëllain e pronarit. Edhe këtë radhë fillimisht ata kanë kërkuar të njëjtin person, i cili nuk ndodhej në ambjentet e servisit.

Punëtori i tha policisë se autorët nuk kishin dialektin e zonës, çka ka shtuar dyshimet se janë banorë të një tjetër zone dhe që duhet të kenë patur konflikt të mëparshëm me vëllain e të plagosurit.

Policia është vënë në kërkim të autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!