Sulmohet me molotov KZAZ nr. 6 në Bushat, 3 policë të plagosur

schedule20:57 - 27 Qershor, 2019

schedule 20:57 - 27 Qershor, 2019

Shkolla profesionale në Bushat  ku ndodhet KZAZ nr.6 u sulmua me molotov mbrëmjen e se enjtes nga militantë të opozitës duke djegur një pjesë të konsiderueshme të materialeve zgjedhore. Nga ngjarja mbeten të plagosur 3 policë dhe janë shoqëruar në komisariat disa persona.

Militantët e opozitës zhvilluan një protestë mbrëmjen e se enjtes para KZAZ nr 6 në shkollën profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat.

Me pas KZAZ-ja u sulmua me Molotov .

Flakët përfshinë ambientet ku ndodheshin materialet zgjedhore. Një pjesë e konsiderueshme e tyre u shkrumbuan.

Policia e Shkodrës informoi se nga ngjarja mbeten të plagosur tre policë të komisariatit të Vaut të Dejës. Të lënduarit u transportuan në spitalin e Shkodrës për të marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje shkoi edhe Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj. Kandidati i PS për bashkinë e Vaut të Dejës dhe deputeti Tom Doshi thonë se materialet do të zëvendësohen dhe autorët do të përgjigjen para ligjit.

Në komisariat janë shoqëruar disa persona. Pak minuta pas ngjarjes reagoi në rrjetet sociale ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.

“Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë ,’ –përfundon mesazhin e tij ministri Lleshaj.

Menjëherë është kundërpërgjigjur edhe Partia Demokratike me dy deklarata për mediat. Në njoftimin e parë thuhet se asnjë militant i Partisë Demokratike nuk ka djegur KZAZ në Bushat dhe dënon me forcë shpifjen e ministrit të brendshëm si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga qeveria për inkriminuar opozitën. Në deklaratën e dytë Partia Demokratike dënon sërish skenarin kriminal të Edi Ramës

“Emërimi i Tom Doshit si shef i shtabit politik për Shkodrën, nga Edi Rama, është emblema e qeverisë për 30 Qershorin. Një individ, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, është garancia që Edi Rama i jep krimit për të bashkëqeverisur ”,- thuhet ne njoftimin e PD-së./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!