Sulmi në Strazsburg, policia kërkon ndihmën e qytetarëve

schedule21:49 - 12 Dhjetor, 2018

schedule 21:49 - 12 Dhjetor, 2018

Autoritetet franceze kanë angazhuar 720 agjentë për kapjen e autorit të sulmit në tregun e Krishtlindjes në Strazburg. Gjithashtu i kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë policinë. Qeveria rriti nivelin e alarmit në atë maksimal.

Vijojnë aksionet për të kapur autorin e sulmit në tregun e Krishtindjes në Strazburg të Francës, i cili vrau 3 persona dhe plagosi 16 të tjerë, 2 prej të cilëve janë mes jetës dhe vdekjes. Autori, i plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri me policinë, është 29-vjeçari Cherif Chekatt. 720 agjentë po ndjekin gjurmët e tij, ka bërë me dije ministria e brendshme franceze, që ka ngritur nivelin e alarmit në të gjithë vendin dhe ka shtuar kontrollet kufitare.

Por duket se i gjithë ky mobilizim nuk është i mjaftueshëm për autoritetet. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë. Më saktësisht kërkohet që kushdo që mund ta shohë 29-vjeçarin, të mos I afrohet atij pasi është shumë i rrezikshëm, por të informojë policinë në numrin 197.

Chekat ishte I njohur për autoritetet franceze si dikush që është radikalizuar në një formë ekstreme të Islamit ndërsa vuante dënimin në burg për krime të ndryshme. Prokurori i Parisit, Remy Heitz duke hedhur dritë mbi ngjarjen la të kuptohet se bëhet fjalë për një akt terrorist. Disa dëshmitarë kanë dëgjuar 29-vjeçarin të thërriste “Allahu Ekber” gjatë sulmit. Heitz konfirmoi se 4 persona të afërt me autorin janë ndaluar. Bëhet fjalë për dy prindërit dhe dy vëllezërit e vrasësit. Masa është marrë për të ndaluar çdo kontakt me të arratisurin. Ndër të tjera, prokurori i Parisit konfirmoi se 29-vjeçari është larguar nga vendngjarja me një taksi duke kërcënuar shoferin e automjetit me një armë dhe thikë.

Zëvendësministri i brendshëm thotë se ka dyshime që Chekatt të jetë larguar nga Franca. Mediat ndërkombëtare, duke cituar burime nga hetimet raportojnë se 29-vjeçari mund të jetë arratisur në Gjermani. Për këtë qeveria e Berlinit angazhoi forca të shumta policore në kufirin me Francën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!