Francë, policia neutralizon autorin Cherif Chekatt gjatë operacionit

schedule20:50 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 20:50 - 13 Dhjetor, 2018

Policia franceze ka vrarë autorin e sulmit me armë, Cherif Chekatt i cili po kërkohej prej ditësh. Mësohet se neutralizimi i tij u bë gjatë një operacioni në një lagje të Strazburgut.

Përfundon arratia e Cherif Chekatt. Policia franceze gjatë një operacioni të zhvilluar në një lagje të Strazburgut vrau autorin e sulmit me armë zjarri në tregun e Krishtlindjes. Kjo raportohet nga mediat lokale. Në aksion morën pjesë edhe forcat speciale. Më herët u zhvilluan gjithashtu dhe tre operacione të tjera, po në Strazburg.

Që prej mbrëmjes të së martës, kur ndodhi sulmi në tregun e Krishtlindjes ku u vranë 3 persona dhe disa të tjerë mbetën të plagosur, autoritetet angazhuan mbi 700 agjentë për kapjen e 29-vjeçarit Cherif Chekatt. Gjatë së enjtes, hetuesit kontrolluan edhe një banesë në të cilën jeton motra e Chekatt.

Një shkrim që bën thirrje për xhihad është gjetur në apartamentin e autorit të sulmit të armatosur, gjatë bastisjes së ndodhur të martën në mëngjes. Pra ditën e sulmit, agjentët ishin tek banesa e tij për ta arrestuar në sajë të një hetimi që nuk kishte lidhje me atentatin. Gjatë kontrollit gjetën armë dhe municione. Këtë e raporton gazeta Dernieres Nouvelles d’Alsace. Ndërkohë, një person i pestë është ndaluar nga policia, por që nuk është pjesë e familjes së Chekatt. Kjo u njoftua nga prokuroria e Parisit. Bëhet fjalë për një 39-vjeçar, mik shumë i afërt me autorin, i cili e kishte strehuar atë një natë përpara sulmit ku u vranë 3 persona dhe plagosën disa të tjerë.  Sipas asaj që raportojnë mediat franceze, Chekat i ka rrëfyer një taksisti se veproi për t’u hakmarrë për “vëllezërit e vrarë në Siri”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!