Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, në lidhje me shpërthimin vdekjeprurës në spitalin e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit foli me Abbas, për t’i shprehur ngushëllimet më të thella për viktimat civile në shpërthimin e spitalit Al-Ahli në qytetin e Gazës, sipas një deklarate nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Sekretari amerikan shprehu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për popullin palestinez, duke theksuar se terroristët e Hamasit nuk përfaqësojnë palestinezët apo aspiratat e tyre legjitime për vetëvendosje dhe masa të barabarta të dinjitetit, lirisë, sigurisë dhe drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Telefonata midis Blinken dhe Abbas pasoi një takim të mëparshëm në Aman para shpërthimit në spital, i cili thuhet se vrau qindra njerëz. Si Izraeli ashtu dhe Palestina akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet.
Pas shpërthimit, Abbas anuloi vizitën e tij në Jordani ku do të takohej me presidentin amerikan Joe Biden.
/abcnews.al