12 persona u arrestuan dhe 39 të tjere u shpallën në kërkim pas përplasjes që ndodhi të premten në darkë në KZAZ nr.19 në Peshkopi. Sipas policisë protestuesit sulmuan me molotov shkollën, ndersa deputeti demokrat Xhemal Gjunkshi thotë se policia ka ushtruar terror ndaj të shoqëruarve dhe familjarëve të tyre.
Për sulmin e një ditë më parë në KZAZ nr. 19 në qytetin e Peshkopisë janë vënë në pranga 12 persona dhe janë shpallur në kërkim 39 të tjerë.
Mbremjen e vonë të së premtes militantët e opozitës protestuan para shkollës së mesme “Nazmi Rushiti” dhe tentuan të hynin me forcë brenda ambjenteve të institucionit arsimor.
Sipas Policisë së Shtetit protestuesit kanë përdorur sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim dhe të KZAZ. Për të shmangur depërtimin e protestuesve në shkollë policia reagoi me gaz lotsjesllës. Për pasojë mbetën të lënduar 6 policë, një kameramen dhe një protestues.
Akuzat që rëndojnë ndaj të arrestuarve janë “Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike për Dibrën pretendon se policia ka ushtruar terror ndaj personave të shoqëruar dhe familjarëve të tyre.
Paraditen e së shtunës u mblodhën për të protestuar para komisariatit simpatizantët e Partisë Demokratike. /ABC News Albania 24/7