Në një deklaratë të hënën, ushtria izraelite tha se personat e vrarë në një sulm në konsullatë iraniane në Damask ishin terroristë që ishin përfshirë në sulme kundër Izraelit.
Kjo është deklarata e parë zyrtare e ushtrisë izraelite mbi sulmin e 1 prillit, që vjen pas sulmit hakmarrës të Iranit, duke rritur tensionet në Lindje e Mesme.
“Për aq sa kam njohuri, ata që u vranë në Damask ishin anëtarë të Forcave Quds. Këta ishin njerëz që u angazhuan në terrorizëm kundër shtetit të Izraelit,” tha zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari gjatë një konferencë në lidhje me sulmin.
“Në mesin e këtyre terroristëve, kishte anëtarë të Hezbollah dhe iranianë. Nuk kishte asnjë diplomat të vetëm atje me sa di unë. Dhe madje nuk u raportua për asnjë civil të vrarë”, tha ai.
Irani ishte zotuar të hakmerrej për sulmin ndaj konsullatës së tij që vrau shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare, duke përfshirë dy gjeneralë nga Forca Quds, krahu i operacioneve të jashtme të Gardës.
Në orët e parë të mëngjesit të së dielës, Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit, sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit në tokën izraelite.
Ushtria izraelite tha se ka kapur 99 për qind të raketave dhe dronëve me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë dhe se sulmi shkaktoi vetëm dëme të vogla, duke përfshirë një bazë ushtarake në jug të vendit.
Më herët të hënën, shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi tha se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit iranian, duke mos specifikuar se kur do të ndodhte sulmi.
/abcnews.al