Sulmi në Kapitol/ Shpallen fajtorë për komplot krerët e “Proud Boys”

schedule15:41 - 5 Maj, 2023

schedule 15:41 - 5 Maj, 2023

Ish kreu i “Proud Boys”, Enrique Tarrio, dhe tre anëtarë të këtij grupi të ekstremit të djathtë, u dënuan për komplot për të sulmuar Kongresin amerikan gjatë tentativës së dështuar për ta mbajtur në pushtet ish-presidentin Donald Trump.

Një juri gjyqësore në Uashington e shpalli aktivistin Henry Tarrio fajtor për konspiracion për rebelim. Vendimi u mor pasi për tre muaj me radhë u dëgjuan me dhjetëra dëshmitarë në njërën prej çështjeve më serioze gjyqësore, të ngritura lidhur me sulmin tronditës të 6 janarit.

“Unë ju premtoj se Departamenti i Drejtësisë do të bëjë gjithë çfarë është e mundur që personat përgjegjës për këtë sulm të urryer i cili kërkoi të trazonte një gur themeli të demokracisë sonë, të japin llogari për veprimet e tyre”, u shpreh prokurori i përgjithshëm i SHBA-së Merrick Garland.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka siguruar tashmë dënime për konspiracion për rebelim ndaj drejtuesve të grupe kryesore ekstremiste për të cilët prokurorët thonë se ishin të vendosur që ta mbanin jashtë Shtëpisë së Bardhë me çdo çmim Presidentin demokrat Joe Biden.

Akuza shoqërohet me një dënim me burg deri në 20 vjet. Tarrio , i cili mbahet në paraburgim që nga arrestimi i tij në mars të vitit 2022, nuk shfaqi ndonjë emocion kur po lexohej verdikti. Ai përqafoi një nga avokatët e tij dhe shtrëngoi duart me një tjetër, përpara se të largohej nga salla e gjyqit. Disa prej njerëzve që ishin ulur mes të afërmve të të akuzuarve fshinë lotët, kur po lexohej vendimi.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!