Janë vetëdeklaruar të pafajshëm para gjykatës themelore në Prishtinë, vëllezërit Dragisha e Jovan Viçentijeviç dhe Igor Dimoviç, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër- Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024.
Të pyetur nga kryetari i trupit gjykues,Vesel Ismajli, nëse ndihen fajtorë për veprat, për të cilat akuzohen, ata thane: “Jo, për asnjërën”.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se të akuzuarit kanë kohë 30 ditë që të ushtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit”, infrastrukturë publike, e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviç akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa
Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viçentijeviç, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.


