Sulmi në Banjskë, Bushati: Policia e Kosovës u koordinua me aleatët, u evitua një katastrofë edhe më e madhe

schedule21:19 - 17 Tetor, 2023

schedule 21:19 - 17 Tetor, 2023

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se u evitua një katastrofë edhe më e madhe në sulmin në Banjskë më 24 shtator, pasi Policia e Kosovës, u koordinua me aleatët.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bushati u shpreh është e pashmangshme që Kosova dhe Serbia do të ulen sërish në tryezën e bisedimeve.

Bushati shtoi se partneriteti mes Tiranës dhe Prishtinës është i pazëvendësueshëm.

“Opinioni im është ky, që ne duhet të respektojmë më shumë njëri-tjetrin, pra, ne Kosovën dhe Kosova ne. Unë mendoj që ndarja e detyrave këtu ka qenë gjithmonë shumë e qartë. Që nga  2016-2017 e deri më sot, ende pllakat tektonike në këtë raport nuk kanë zenë vend. Ne duhet të përpiqemi që si të zenë vend. Unë mendoj që ne duhet të qëndrojmë te raporti strategjik, tek çështjet strategjike, te interesi straregjik. Cili është interesi strategjik i shqiptarëve? Dy tema kemi pasur si devizë në politikën e jashtme, të ardhmen euroatlantike dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon. Këto janë dy çështjet themelore që nuk duhet t’i shmangemi. Albin Kurti ka të drejtë nëse e ka thënë këtë deklarim, sepse Policia e Kosovës, ka autoritet në të gjithë territorin e Kosovës. Deri në bojkotimin që i bënë serbët institucioneve të Kosovës, edhe policisë, pjesa në veri është mbuluar nga reparte policore serb të Kosovës. Ka një çështje tjetër që shpesh ngatërrohet, roli i FSK. Ka pasur një angazhim nga Prishtina që të reduktojë numrin në veri dhe në procesin e transformimit nga FSK në ushtri, çdo lëvizje e trupave ushtarake, do duhej të bëhej paraprakisht në koordinim me KFOR-in. Nga të gjithë politikanët në Kosovë, me çfarë kam ndjekur unë, pjesëmarrja e shtuar e aleatëve në trupat e KFOR-it si pasojë e sulmit të 24 shtatorit, është përshëndetur.

KFOR-i është në perimetrin e jashtëm të kufijve të Kosovës, perimetri i brendshëm është një çështje nën përgjegjësinë dhe nën autoritetin e Policisë së Kosovës. Ngjarja e fundit mua më çoi në konkluzionin që, një koordinim më i shëndetshëm mes institucioneve të Kosovës, në këtë rast Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, KFOR-it apo shërbimeve të ndryshme inteligjente, funksionoi me përpikmëri. Në radhë të parë, u evitua një katastrofë edhe më e madhe, mund të kishte gjakderdhje edhe më të madhe. Mendoj se tani është koha për të filluar dhe për të shikuar se si do të shkohet drejt të ardhmes. Riulja në tavolinë do të jetë e pashmangshme. Modalitetet e rikthimit në tryezë janë një çështje tjetër, por mendoj se do të jetë e pashmangshme dita që do të riulen në tryezë, Kosova dhe Serbia. A do të ulen me këtë format, a do ketë balancim të ri, kjo do jetë një çështje që do duhet ta shohim. Por e shoh të pazëvendësueshmë partneritetin mes Tiranës dhe Prishtinës, apo Prishtinës dhe Tiranës”, theksoi ai./abcnewsal

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!