Sulmi ndaj policisë në Elbasan, kërkohet ndihma e Interpol për Suel Çelën

schedule19:25 - 14 Shkurt, 2019

schedule 19:25 - 14 Shkurt, 2019

Për të dytën seancë radhazi, Gjykata për Krimet e Rënda dështoi të niste gjykimin ndaj Suel Çelës dhe dy të akuzuarve të tjerë për sulmin ndaj policisë në portën e tregut Agro-Ushqimor në Elbasan. Shkak u bë mosnjoftimi i Çelës, aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për gjyqin në ngarkim të tij.

Njoftimi për të ishte firmosur nga babai i tij, Petrit Çela, i cili deklaronte se i biri gjendej jashtë vendit. Gjykata urdhëroi prokurorinë të kërkojë edhe ndihmën e Policisë së Shtetit, si edhe Interpolit për gjetjen dhe njoftimin e të pandehurit Suel Çela.

Sulmi ndaj policisë në Elbasan u regjistrua në Shtator 2017, ku një mjet “Audi” përplasi mjetin e zv/drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Gjergji Oshafi duke rrezikuar edhe jetën e 3 të tjerëve.

Prokuroria ia ka ngarkuar këtë ngjarje Suel Çelës, Enea Bekteshit dhe Kelmend Xhaferrit, të cilët akuzohen për “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë”, “prodhim shitje narkotikësh” dhe “armëmbajtje pa leje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!