Pas një video-konference ministrat e jashtëm të BE-së kërkuan më shumë sanksione ndaj Iranit. Njëkohësisht kërkohet depërshkallëzimi, edhe prej Izraelit, që mundi të mbrohet prej sulmit iranian.
“Ministrat u kërkojnë të gjithë aktorëve në rajon, që të tërhiqen nga qendrimet radikale që çojnë në humnerë!” Me këtë apel të fortë iu drejtua pas mbledhjes së jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të BE-së përmes video-konferencës, i ngarkuari për politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai tha, sesulmi i pashembullt i Iranit ndaj Izraelitështë një përshkallëzim deçiziv. Tani duhet të synohet, shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm. Shahu politik me goditje dhe kundërgoditje duhet të marrë fund, në rast të kundërt Lindja e Mesme mund të shkasë në një kaos të plotë. Këtë nuk mund ta dojë askush. Ministrat e Jashtëm të BE-së janë plotësisht në unanimitet, tha i ngarkuari për politikën e jashtme duke lënë të kuptohet, se nga Izraeli dhe Irani pritet që të tërhiqen nga veprimet përshkallëzuese.
Sanksione më të ashpra kundër Iranit
Disa ministre e ministra, si edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kërkuan sanksione më të ashpra ndaj regjimit të iranit. Borrell tha, se tani po shqyrtohen sanksionet ekzistuese dhe mundësia për t’i zgjeruar ato. Mund të sanksionohet prodhimi i dronëve iranianë, që deri tani janë furnizuar në Rusi dhe ndërkohë po eksportohen edhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Vendimet për këtë pritet të merren javën e ardhëshme.
Të tjerë ministra propozuan, që t’u vendosen sanksione gardës revolucionare iraniane dhe njësive elitë të ushtrisë. I ngarkuari i BE-së për politikën e Jashtme tërhoqi vëmendjen, se këto sanksione ekzistojnë ndërkohë që prej vitit të kaluar. Një klasifikim i gardës revolucionare si grup terrorist, ngjashëm si Hamasi, deri tani ka dështuar për shkak të pengesave ligjore. Për një klasifikim zyrtar duhet të ekzistojë një akt konkret i gardistëve revolucionarë ndaj BE. Deri tani nuk ka njoftim për një rast të tillë, tha Borrell. Por edhe kjo synohet t’u kalohet për verifikim juristëve të Komisionit të BE-së.
“Të mos harrohet Gaza”
Më parë Josep Borrell vlerësoi udhëtimin e ministress ë Jashtme Annalena Baerbock në Izrael. Ajo ndoshta do të mund të influencojë diçka, sipas politikanit spanjoll, sepse Gjermania ka një lidhje të fortë me Izraelin. Borrell, i cili në Izrael konsiderohet si i afërt me palestinezët, theksoi në Bruksel, se BE qendron palëkundur në krahun e Izraelit, për ta mbrojtur atë nga sulmet prej Iranit. “Por katastrofa humanitare në Rripin e Gazës nuk duhet harruar”, tha i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme. Ai theksoi kërkesën e përbashkët të ministrave të BE-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Rripin e Gazës, për të liruar pengjet izraelit nga duart e terroristëve të Hamasit dhe për të mundësuar furnizimin e popullsisë civile.
G7 vazhdon konsultimet për Lindjen e Mesme
Të mërkurën (16.04.2024) korpusi diplomatik do të vazhdojë diskutimet në ishullin italian Kapri në gjirin e Napolit. Atje zhvillohet takimi i planifikuar prej kohësh i ministrave të Jashtëm të shtatë vendeve të industrializuara perëndimore dhe përfaqësuesit të BE-së, Borrell. Në ishullin piktoresk do të diskutohet për Iranin, Izraelin, Hamasin, gjendjen në Rripin e Gazës dhe krizën në Lindjen e Mesme,sipas qarqeve diplomatike italiane. Në fakt sipas planifikimit ky takim do të dominohej nga tema e luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainës dhe masave të tjera në mbështeje të Kievit.
G7 do t’i kërkojë Iranit që të heqë dorë nga sulme të tjera kundër Izraelit. Edhe programi i armëve atomike të Iranit sërish kritikohet nga G7, ashtu si edhe vitin e kaluar në takimin e grupit të vendeve të industrializuara G20. Izraeli duhet ta pranojë, që mundi të mbrohet me sukses ndaj sulmit prej Iranit dhe se një sulm hakmarrjeje nuk është i nevojshëm. Këtë linjë ndoqën kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të G7 gjatë një video-konference javën e kaluar. /DW