“Sulmi ndaj gjyqtarit, burracak”, Balla: Askush të mos guxojë të intimidojë magjistratët, autorët të dalin para drejtësisë

schedule14:29 - 29 Prill, 2024

schedule 14:29 - 29 Prill, 2024

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla, sulmin ndaj gjyqtarit në Shkodër Tonin Sterkaj e ka konsideruar një akt burracakësh, i cili duhet të zbardhet sa më parë. Ai bëri thirrje, që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë dhe personat e përfshirë të vihen menjëherë para përgjegjësisë.

Ai theksoi para gazetarëve se këto akte itimiduese duhet të marrin fund ndaj sistemit të drejtësisë.

“Sulmi ndaj gjyqtarit është një sulm burracakësh. Unë kam marrë një komunikim me magjistratin dhe i kam shprehur solidariteti. Strukturat do të ofrojnë mbrojte personale dhe të familjes së magjistratit. Është momenti për të dhënë mesazh ndaj kushdo që ka hartuar dhe është bërë pjesë e këtij akti intimidues, mezi pres, orë pas ore, raportimet e punës së posaçme të ngritur në Shkodër, që shpresoj që në orët në vijim të ketë gjëra konkrete. I bëj thirrje kujtdo të heqë dorë nga çdo formë intimidimi ndaj sistemit gjyqësor. Na duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, të cilët duhet ta kryejnë detyrën të pandikuar”, tha ai.

Ai tha se e vlerëson punën që po bën prokuroria dhe policia e Shkodrës për zbardhjen e këtij rasti.

“Do të ishte jo etike nga ana ime, pa pasur një panoramë të qartë. E vlerësoj shumë punën që po bëhet në Shkodër nga prokuroria dhe Policia, që po hetojnë për këtë rast”, tha ai.

Sipas Ballës, “ngjarja është test në drejtorinë e policisë së Shkodrës”.

Teksa u pyet se sa ndikon gjuha sulmuese e politikanëve në nxitjen e akteve të tilla ndaj gjyqtarëve [referuar këtu etiketimeve të Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani], ministri Balla u shpreh:

“Retorika që ju përmendet, i bën dëm dhe është e papranueshme. Në këtë kuptim gjithkush të vetëpërmbahet dhe të respektojë vendimet e drejtësisë”, tha Balla.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku banesa e gjyqtarit Tonin Sterkaj u sulmua me lëndë eksplozive, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë në mbrojtje magjistratin dhe familjen e tij për gjashtë muajt e ardhshëm./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!