Sulmi kibernetik ndaj Ukrainës, Perëndimi i shqetësuar

schedule07:30 - 15 Janar, 2022

schedule 07:30 - 15 Janar, 2022

Qeveria në Kiev njoftoi për një sulm kibernetik në shkallë të gjerë në faqen qendrore të internetit të qeverisë – dhe dyshimet i ka në drejtim të Moskës. BE reagon e alarmuar.

Faqja online e Ministrisë së Jashtme në Kiev ashtu si dhe faqet e Ministrive asaj për Mbrojtjen nga Katastrofat dhe të Shkencës si dhe të kabinetit qeveritar nuk ishin të aksesueshme. Të premten (14.01) në mëngjes faqja e Ministrisë së Jashtme ishte përkohësisht e bllokuar dhe në monitor shfaqeshin fjalët provokuese „kini frikë dhe llogarisni me më të keqen” në gjuhën ukrainase, në rusisht he në polonisht.

Sipas të dhënave të shërbimeve sekrete ukrainase gjatë këtij sulmi kibernetik nuk janë vjedhur të dhëna personale. Faqet e prekura janë sërish të aksesueshme, vuri në dukje shërbimi sekret SBU. Një njësi e specializuar ndaj sulmeve kibernetike ka nisur hetimet.

BE dhe Gjermania kanë siguruar se do të ndihmojnë

Sulmi masiv kibernetik ndaj pikave qendrore të qeverisë e ka tronditur Perëndimin. BE dhe Gjermania i siguruan ndihmë Ukrainës. I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, tha gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Brest të Francës, se BE-ja do të mobilizojë të gjitha mjetet për të mbështetur Kievin. Ndër të tjera u planifikua një mbledhje urgjente e komitetit politik dhe të sigurisë të BE-së. Në të diskutohet edhe për ndihmat teknike për Ukrainën. Nëse pas sulmit kibernetik qendron Rusia, kjo është e paqartë, tha Borrell: “Ne nuk kemi dëshmi, por edhe mund të mendohet një gjë e tillë.”

“Jashtëzakonisht shqetësuese”

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin vuri në pah gatishmërinë gjermane për të ndihmuar Ukrainën. Do të verifikohet se si mund të jetë kjo mbështetje. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, e quajti sulmin kibernetik „jashtëzakonisht shqetësues”. Në takimin në Brest ai tërhoqi vëmendjen, se sulmet kibernetike mund të jenë sinjale paralajmëruese për aktivitete ushtarake.

Qeveria ukrainase njoftoi, se „sipas të dhënave të para” është Rusia përgjegjëse për sulmin hacker. Në mediet ruse ka pasur të dhënat e para lidhur me sulmin, përpara se Ukraina të prekej nga ky sulm. Edhe gjatë sulmeve të tjera kibernetike ndaj faqeve të internetit të qeverisë dhe institucioneve të tjera të rëndësishme Kievi në mënyrë të përsëritur ka përmendur Kremlinin si shkaktar. Nga Moska nuk ka asnjë reagim.

Sulmi kibernetik ndodh në një kohë kur janë ashpërsuar tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit në konfliktin e Ukrainës. Në sfondin e marshimit masiv të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, Perëndimi druan, se Moska mund ta sulmojë vendin fqinj. Të enjten (14.01) Borrell deklaroi një nismë të BE-së për kualifikimin në fushën e sigurisë kiberenetike për kuadro drejtuese të ushtrisë ukrainase. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!