Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka pranuar se objektet bërthamore të vendit kanë pësuar dëme serioze nga sulmet ajrore të kohëve të fundit të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli. Në një intervistë për televizionin shtetëror të enjten në mbrëmje, ai konfirmoi se Organizata për Energji Atomike e Iranit po kryen aktualisht një vlerësim të plotë të dëmeve.
Megjithatë, disa orë më parë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, kishte deklaruar se sulmet nuk e kishin dëmtuar programin bërthamor të vendit. Ai i cilësoi pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se bombardimet kishin “shkatërruar plotësisht” tre objekte bërthamore – si teprime dhe nënvizoi se sulmet “nuk arritën asnjë rezultat të rëndësishëm”.
Khamenei, i cili qëndron i fshehur që prej shpërthimit të konfliktit me Izraelin më 13 qershor, e shpalli madje sulmin si një dështim të SHBA-së dhe Izraelit, duke pretenduar se Irani ka dalë fitues. Por deklaratat e ministrit të Jashtëm iranian hedhin hije dyshimi mbi versionin zyrtar të udhëheqjes së lartë, duke lënë të kuptohet për pasoja më të mëdha sesa pranohet publikisht.
Araghchi sqaroi gjithashtu se nuk ka plane për të rifilluar bisedimet bërthamore me SHBA-në, të cilat u pezulluan pasi Izraeli nisi ofensivën e tij. “Dua të jem i qartë: nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë diskutim dhe asnjë përgatitje për bisedime të reja,” tha ai, duke shtuar se qeveria po shqyrton “çfarë është në interes të popullit iranian” dhe se qasja diplomatike e Iranit do të marrë një “formë të re”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Nga ana tjetër, administrata Trump ka diskutuar mundësinë për të lehtësuar sanksionet dhe për të liruar miliarda dollarë fonde të bllokuara iraniane, si pjesë e një përpjekjeje për të rikthyer Teheranin në tryezën e bisedimeve. CNN raportoi se SHBA-ja po shqyrton gjithashtu të ndihmojë Iranin për zhvillimin e një programi bërthamor për qëllime civile, me vlerë deri në 30 miliardë dollarë.
Por zhvillimet e brendshme në Iran mund të pengojnë këtë nismë. Të mërkurën, Parlamenti iranian miratoi një ligj për ndërprerjen e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), i cili – nëse zbatohet do t’i ndalojë inspektorët ndërkombëtarë të vizitojnë objektet bërthamore iraniane.
Izraeli ka justifikuar ofensivën e tij duke pretenduar se Irani është afër ndërtimit të armëve bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime civile.
Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në konflikt fundjavën e kaluar, duke bombarduar objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan, përpara se presidenti Trump të përpiqej të ndërmjetësonte një armëpushim të shpejtë midis dy vendeve.
Sipas Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, sulmet kishin “dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, duke e kthyer prapa për vite me radhë”. Megjithatë, një vlerësim paraprak i rrjedhur nga Pentagoni tregon se dëmi ishte më i kufizuar, duke sugjeruar se programi iranian mund të jetë vonuar vetëm me disa muaj. Ky raport është hedhur poshtë nga administrata.
Ndërkohë, sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, gjatë 12 ditëve të bombardimeve izraelite, janë vrarë 610 persona në Iran, ndërsa autoritetet izraelite raportojnë 28 viktima në Izrael./abcnews.al