Sulmet ruse, vriten dy punonjës të huaj të ndihmave në Ukrainë

schedule15:21 - 10 Shtator, 2023

schedule 15:21 - 10 Shtator, 2023

Dy punonjës të huaj të ndihmave raportohet se u vranë në Ukrainën lindore të dielën, ndërsa predhat ruse goditën një furgon që transportonte një ekip prej katër personash që punonin me një organizatë ukrainase joqeveritare.

Katër vullnetarët nga organizata “Road to Relief”, e cila ndihmon në evakuimin e të plagosurve nga zonat e luftës, u bllokuan brenda furgonit ndërsa ai u përmbys dhe mori flakë, pasi u godit nga predhat ruse pranë qytetit Chasiv Yar, tha organizata në faqen e saj në Instagram.

Organizata joqeveritare “Road to Relief” tha se kanadezi Anthony Ihnat vdiq në sulm, ndërsa mjeku vullnetar gjerman Ruben Mawick dhe vullnetari suedez Johan Mathias Thyr u plagosën rëndë. Disa orë më pas, Spanja njoftoi se autoritetet në Madrid ishin njoftuar për vdekjen e 32-vjeçares Emma Igual, shtetase spanjolle e cila ishte drejtoreshë e organizatës.

Vullnetarët po shkonin për të vlerësuar nevojat e civilëve në periferi të Bakhmutit, sipas organizatës, duke iu referuar qytetit lindor që përjetoi betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës përpara se të binte në duart e pushtuesve në muajin maj.

Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan të dielën se kishin rrëzuar 26 nga 33 dronët e nisur nga Rusia drejt kryeqytetit ukrainas në orët e para të mëngjesit.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhii Popko, tha se mbeturinat nga dronët Shahed të prodhuar nga Irani ranë në disa pjesë të qytetit dhe plagosën të paktën një civil. Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha më vonë se një civil u plagos në qendrën historike të qytetit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!