Një aleat i ngushtë i kancelarit Olaf Scholz ka paralajmëruar se sulmet verbale të fundit të miliarderit amerikan Elon Musk kundër presidentit Frank-Walter Steinmeier mund të tensionojnë seriozisht marrëdhëniet gjermano-amerikane.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD), Rolf Mützenich, akuzoi Muskun për kalimin e “një kufiri midis shteteve mike”.
Musk, i cili do të shërbejë si këshilltar i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, shkroi në platformën e tij X në natën e Vitit të Ri: “Steinmeier është një tiran antidemokratik. Turp për të”.
“Sulmet verbale ndaj Presidentit Federal, pra, kanë për qëllim të gjithë qytetarët”, tha Mützenich për të përjavshmen gjermane “Der SPIEGEL”.
Magnati amerikan kishte fyer gjithashtu Scholzin, duke e quajtur atë “budalla të paaftë” pas sulmit të fundit terrorist vdekjeprurës në qytetin lindor Magdeburg.
Të hënën, qeveria gjermane akuzoi Muskun për përpjekje për të ndikuar në fushatën zgjedhore të vendit duke riafirmuar mbështetjen e tij për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Ndonëse ai është i lirë të shprehë mendimin e tij, “në fakt, Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale përmes deklaratave të tij”, tha zv/zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann në një konferencë për media në Berlin.
Zgjedhjet vendosen nga votuesit kur votojnë dhe janë çështje gjermane, theksoi ajo.
Musk, i cili gjithashtu zotëron platformën e medias sociale X, kishte shkruar një editorial në gazetën e përditshme “WELT”, duke shprehur mbështetjen e tij për AfD-në.
Hoffmann tha se ndërsa “liria e shprehjes është një pasuri e vlefshme”, nuk duhet ndarë këndvështrimi i tij.
Ajo vuri në dukje se Musk ka sugjeruar votim për një parti që po monitorohet nga agjencia e brendshme e inteligjencës së vendit (Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës) si një rast i mundshëm ekstremist i krahut të djathtë.
Më 20 dhjetor, Musk shkroi në X se “vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”.
AfD-ja aktualisht është në vendin e dytë në sondazhet mbarëkombëtare dhe mund të jetë në gjendje të pengojë një shumicë të qendrës së djathtë ose të qendrës së majtë.
Megjithatë, partitë kryesore të Gjermanisë, më shumë centriste, janë zotuar të refuzojnë të formojnë një koalicion me AfD-në në nivel kombëtar.