Sulmet në Sri Lanka, hidhet dritë me organizatorin

schedule23:22 - 26 Prill, 2019

schedule 23:22 - 26 Prill, 2019

Autoritetet në Sri Lanka kanë zbuluar të dhëna të reja mbi organizatorin e sulmeve terroriste të ditës së Pashkës. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i policisë ka dhënë dorëheqjen për shkak të dështimit të koordinimit mes institucioneve.

Personi i dyshuar si lideri i grupit të atentatorëve të së dielës në Sri Lanka mbeti i vrarë në një nga sulmet e kryera. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i vendit aziatik Maithripala Sirisena, i cili në një komunikim të jashtëzakonshëm me mediat ka deklaruar se Zahran Hashim, një predikues radikal, mbeti i vrarë në atentatin në hotelin Shangri-La, në kryeqytetin Kolombo.

Duke folur rreth dyshimeve se atentatorët ishin të lidhur me Shtetin Islamik, kreu i shtetit nënvizoi se në vend ndodhen rreth 130 të dyshuar të lidhur me ISIS dhe shtoi se policia është në kërkim të 70 prej tyre. Presidenti tha më tej se shefi i policisë së Sri Lankës dha dorëheqjen në lidhje me sulmet me bombë të së dielës.

Largimi i tij vjen pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Hemasiri Fernando. Atentatet vunë në dukje dështimin e shërbimeve të inteligjencës, pavarësisht të dhënave se policia dhe disa departamente qeveritare kishin marrë sinjalizime për sulme të mundshme ndaj kishave.

Ndërkohë, autoritetet në Sri Lanka kanë rishikuar bilancin e viktimave të atentateve, duke e ulur numrin e viktimave në të paktën 250. Aktualisht në kryeqytetin Kolombo ka një prani të shtuar të forcave të sigurisë, pas zërave për sulme të reja nga i njëjti grup terrorist që hyri në veprim ditën e Pashkës, Tauhed Xhamat.

Për arsye sigurie, zyrtarët vendas kanë anuluar meshat e së dielës deri në një urdhër të ri dhe u kanë bërë thirrje besimtarëve myslimanë që të luten në shtëpitë e tyre./abcnews.al