Sulmet në Siri/Franca: U arritën objektivat, Assad s’ tërhiqet

schedule14:32 - 14 Prill, 2018

schedule 14:32 - 14 Prill, 2018

Sulmet e Perëndimit në Siri nisën në orën 3 të mëngjesit. Kur kanë kaluar disa orë, të dhënat që vijnë nga vendi i Lindjes së Mesme janë kontradiktore. Franca thotë se janë shkatërruar arsenalet kimike, duke lënë të kuptohet se objektivat janë arritur. Por Rusia mohon gjithçka.

Pak orë pas sulmeve të shumëfishta ndaj Sirisë, qeveria franceze ka deklaruar se është shkatërruar një pjesë e mirë e arsenalit kimik në dispozicion të qeverisë së Damaskut.

“Objektivat e caktuar janë arritur. Nëse vija e kuqe e sulmeve kimike do të tejkalohet sërish, atëherë do të ketë operacione të tjera. Sidoqoftë, besoj se regjimi e ka mësuar mësimin”, ka deklaruar ministri i Jashtëm francez Zhan Iv Lë Drio.

Por presidenti sirian duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga planet e tij. “Sulmet e kryera gjatë natës ndaj Damaskut vetëm sa do të rrisin vendosmërinë tonë për të shkatërruar terrorizmin në çdo cep të Sirisë”, ka thënë Bashar al Assad. Ai ka shtuar se Perëndimi i ndërmori sulmet ndaj vendit të tij pasi humbi kontrollin e konfliktit. Ndërkohë Rusia ka deklaruar se të gjitha raketat e aleatëve perëndimorë, që flitet se ishin rreth 100, janë rrëzuar nga sistemet siriane të mbrojtjes dhe se nuk ka viktima. Gjenerali Sergei Rudskoi ka bërë me dije se raketat ishin qëlluar ndaj bazave ajrore siriane Djuvali, Al Dumajr, Blei dhe Shairat. Kjo e fundit e goditur një vit më parë nga raketat amerikane, pas një sulmi me gaz sarin në Khan Sheikhun. Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Reuters” citon komandantin e një milicie pro-Assad të thotë se janë goditur edhe objektiva të tjerë, përfshirë këtu disa zona pranë Damaskut. Konkretisht bëhet fjalë për një bazë ushtarake në Dima, depot e armatimeve në Kalamun, zonën Kisvah ku thuhet se regjimi po ngrinte një bazë, një kompleks në kodrat Kasjun dhe një qendër kërkimesh në Masjaf. Për momentin është e vështirë që këto të dhëna të verifikohen. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!