Sulmet kibernetike, Prokuroria e Tiranës lëshon urdhër-arreste për 5 punonjës IT të MB-së dhe DAP-it

schedule10:46 - 30 Nëntor, 2022

schedule 10:46 - 30 Nëntor, 2022

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar pesë urdhër-arreste për sulmin kibernetik ndaj sistemeve shtetërore. Mësohet se bëhet fjalë për pesë punonjës IT të Ministrisë së Brendshme dhe Departamenti i Administratës Publike që akuzohen për shpërdorim detyre.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t. Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Prokuroria njofton se, në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

Alketa Sula – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku – Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka- Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike. /abcnews.al/