Ali Shamkhani, ish-shef i Sigurisë Kombëtare të Iranit dhe një nga figurat më të rëndësishme të regjimit iranian, është një ndër viktimat e sulmeve ajrore izraelite ndaj Iranit.
Shamkhani ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe ka përfaqësuar Teheranin në negociatat që çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite, një nga rivalët kryesorë rajonalë të Iranit.
Ai shërbeu si zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare të vendit për një periudhë dhjetëvjeçare, që nga viti 2013. Më herët, ai kishte mbajtur funksione të rëndësishme brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Në negociatat e ndërmjetësuara nga Kina me zyrtarët sauditë, Shamkhani përfaqësoi Iranin në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por u zëvendësua papritur në mesin e vitit 2023.
Në vitin 2001, Shamkhani kandidoi për postin e presidentit të Iranit, ndërsa vazhdoi të mbante pozita me peshë brenda IRGC-së dhe qeverisë. Ai qëndroi përherë pranë udhëheqjes politike të vendit, duke ofruar këshilla edhe në procesin e rifillimit të negociatave bërthamore me administratën e atëhershme amerikane të presidentit Donald Trump.
Në prill, pak ditë përpara rifillimit të bisedimeve me SHBA-në, Shamkhani kishte paralajmëruar se Irani mund të dëbonte inspektorët bërthamorë të OKB-së dhe të ndërpriste bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nëse do të ndjente kërcënime ndaj sovranitetit të tij.
Sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit janë cilësuar si të paprecedenta dhe kanë pasur për objektiv programin bërthamor iranian dhe drejtuesit më të lartë ushtarakë të vendit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ofensiva, e koduar me emrin “Luani në Ngritje”, do të zgjasë disa ditë dhe e ka cilësuar Iranin si “kërcënim për vetë mbijetesën e Izraelit”.
Sipas ushtrisë izraelite, në operacion janë përfshirë rreth 200 avionë luftarakë. Në shenjë hakmarrjeje, Irani ka lëshuar mbi 100 dronë drejt territorit izraelit, sipas të njëjtave burime.
Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me kundërsulme “në të ardhmen e afërt”.
Ndërkohë, Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se mbështesin sulmet izraelite një akuzë që Uashingtoni e ka mohuar fuqimisht. Ish-presidenti Donald Trump deklaroi se ishte i informuar paraprakisht për sulmet, por theksoi se SHBA-të nuk kanë pasur asnjë rol në to./abcnews.al