Rusia ka vijuar sulmet me dronë ndaj Ukrainës. Të paktën tre persona janë vrarë, mes tyre edhe një fëmijë 5 vjeç në rajonin e Kievit.
Kryeqyteti dhe periferitë e tij ishin në shënjestër të një sulmi masiv me dronë, tha kryebashkiaku Vitali Kliçko.
Sulmet në Kiev vijnë përpara negociatave të armëpushimit në Arabinë Saudite, në të cilat Ukraina dhe Rusia pritet të zhvillojnë bisedime veçmas me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara.
Rusia lëshoi 147 dronë në të gjithë Ukrainën, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.
Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 97 dhe 25 të tjerë nuk arritën objektivat për shkak të kundërmasave ukrainase.
Sulmet goditën gjithashtu rajonet Kharkiv, Sumy, Odesa dhe Donetsk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri një vizitë në vijën e frontit në Kharkiv para sulmeve dhe u informua nga zyrtarët ushtarakë për situatën në zonë.
Gjithashtu Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte rrëzuar 59 dronë ukrainas gjatë natës, duke përfshirë 29 mbi rajonin e Rostovit.
Në Rostov, një person u vra dhe një makinë mori flakë për shkak të sulmit me dron ukrainas, sipas guvernatorit të përkohshëm të zonës.
Zhvillimet e fundit vijnë pasi dërguari i posaçëm SHBA për Lindjen e Mesme, , Steve Witkoff, tha se Ukraina ka “rënë dakord” për të mbajtur zgjedhje presidenciale, pavarësisht luftës që po vazhdon në vend.
Witkoff, në një intervistë për Fox News, njoftoi se udhëheqja ukrainase është pajtuar për zhvillimin e zgjedhjeve, një zhvillim surprizë, duke pasur parasysh kushtetuten e Ukrainës që ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte./abcnews.al