Sulm me thikë në Paris, dy të vrarë dhe një i plagosur

schedule11:34 - 23 Gusht, 2018

schedule 11:34 - 23 Gusht, 2018

Autoritetet duket se përjashtojnë pistën e terrorizmit për sulmin në afërsi të Parisit. Autori, një 36-vjeçar me çrregullime mendore, vrau me thikë nënën dhe motrën e tij si dhe plagosi një fqinj. Pavarësisht kësaj, ISIS mori përsipër sulmin.

Një 36-vjeçar, i njohur më parë nga autoritetet franceze si një ekstremist islamik, ka vrarë me thikë nënën dhe motrën e tij, pastaj ka plagosur një fqinj. Ngjarja e rëndë ndodhi në Trappes, një komunë franceze e vendosur në afërsi të Parisit. Gjatë sulmit, autori ka thërritur “Allahu Ekber”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një atentat terrorist dhe u vra nga forca speciale, që ndërhynë në vendngjarje.

Pavarësisht se tashmë është e qartë se bëhet fjalë për një zënkë familjare, sipas mediave franceze, ISIS ka marrë përsipër sulmin me anë të një deklarate të publikuar në internet. 36-vjeçari është vrarë nga policia me armë zjarri ndërsa po përpiqej të fshihej në një ndërtesë. Ai ishte i skeduar në fashikullin S, që nënkupton i njohur nga shërbimet e policisë si person i radikalizuar dhe i dënuar në 2016-n për mbështetje të terrorizmit.

“Agresori ishte një person me të meta mendore. Ishte një kriminel me probleme të rënda psiqike”, është shprehur për gazetarët ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes. Sipas tij, autori kishte më shumë profilin e një personi me çrregullime se sa atë të një personi afër ISIS./abcnews.al