20 persona janë vrarë dhe 26 të tjerë janë plagosur në një sulm me armë të ndodhur në një qendër tregtare në qytetin El Paso, në Teksas. Një 21-vjeçar hyri në qendër i pajisur me Kallashnikov dhe hapi zjarr ndaj të pranishëmve, para se të arrestohej nga policia. Guvernatori Greg Ebot e cilësoi ngjarjen si më të rëndat në historinë e Teksasit.
Ndërkohë, policia po heton nëse sulmi, që ndodhi pak kilometra larg kufirit SHBA-Meksikë ishte një krim urrejtjeje. Së bashku me FBI-në, forcat e rendit po punojnë për të verifikuar nëse një manifest i publikuar në një forum onllajn, ku thuhej se akti ishte një sulm ndaj pushtimit të komunitetit hispanik, ishte shkruar nga autori.
21-vjeçari i arrestuar është identifikuar me emrin Patrik Krusius dhe sipas mediave amerikane është një person i njohur për prirje supremaciste. Më parë ai kishte shprehur simpati për autorin e sulmit në një xhami në Kristçërç të Zelandës së Re, Brenton Tarrant, që la të vrarë 51 persona.
Ngjarja mendohet të jetë sulmi i tetë më vdekjeprurës në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Në reagimin e tij, presidenti Donald Trump e cilësoi episodin një “akt burracakërie”. “Qëndroj përkrah gjithëkujt në këtë vend që dënon këtë akt të urryer. Nuk ka justifikime për vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, tha Trump në Twitter. Qendra tregtare Uollmart ishte e mbushur me njerëz në momentin e të shtënave.
Shefi i policisë lokale, Greg Allen deklaroi se forcat e rendit nuk qëlluan as edhe një plumb për të ndaluar autorin, ndërkohë që shtoi se viktimat janë të moshave të ndryshme. Ngjarja në fjalë bëri që në mbarë Shtetet e Bashkuara të rihapet debati për kontrollin e armëve. Ajo është e dyta që ndodh në një qendër Uollmart brenda javës, pasi një ish-punonjës vrau dy ish-kolegë në degën e kompanisë në Misisipi ditën e martë./ABC News Albania 24/7

