Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin Brown në qytetin Providence, SHBA, ku të shtëna me armë zjarri janë regjistruar brenda kampusit universitar. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë plagosur, ndërsa tetë prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën, bëjnë me dije autoritetet.
Sipas policisë së Rhode Island, autori i dyshuar ndodhet ende në arrati dhe kërkimet për kapjen e tij vijojnë. Ngjarja ka ndodhur në godinën e inxhinierisë Barus & Holley, në një moment kur aty po zhvilloheshin provimet.
Menjëherë pas të shtënave, rrugët përreth kampusit u bllokuan për disa orë dhe masat e sigurisë u përforcuan ndjeshëm. Forcat e rendit janë vënë në kërkim të një burri të veshur me rroba të errëta, ndërsa gjatë natës janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për identifikimin e autorit. Autoritetet kanë paralajmëruar se këto pamje mund të bëhen publike për të ndihmuar hetimin.
View this post on Instagram
Studentët janë njoftuar për sulmin përmes alarmeve emergjente në telefonat e tyre. Universiteti u mbyll menjëherë dhe studentët u strehuan në klasa, sipas protokolleve të sigurisë. Shumë prej tyre raportojnë se qëndruan të fshehur nën banka për rreth dy orë.
Operacioni për kapjen e autorit është vështirësuar edhe nga fluksi i madh i njerëzve në qytet, për shkak të aktiviteteve festive të Krishtlindjeve. Kryebashkiaku i Providence, Brett Smiley, deklaroi se emrat e viktimave nuk janë bërë ende publikë.
Sipas të dhënave të Gun Violence Archive, kjo është ngjarja e 389-të e këtij lloji e regjistruar në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.

