Llapi u mposht 3-0 sot në Gjilan dhe humbi mundësinë për të dalë në krye të renditjes. Diferenca me kryesuesit e Gjilanit ka shkuar 4 pikë, teksa Tahir Batatina “kërcënon” pas humbjes së sotme. Trajneri i njohur i ekipit nga Podujeva nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij në prononcimin e dhënë për “Super Sport Kosova” pas ndeshjes me “Skifterat”.
Disa tifozë sulmuan arbitrin anësor, Meriton Berisha, sipas raportimeve të gazetës “Olle”, diçka që u konfirmua edhe nga trajneri i Llapit. Batatina ka akuzuar Federatën për mbështetje të dy skuadrave të Gjilanit, që janë edhe dy ndër pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion.
“Federata e Futbollit të Kosovës duhet ta dijë që nuk janë vetëm dy klube në Superligë, Gjilani dhe Drita, por janë edhe dhjetë ekipe të tjera. Kështu siç po shkon kampionati, rrezikohet ndërprerja. Pashë pas ndeshjes teksa goditeshin gjyqtarët në formë të dhunshme. Komoditeti i tepërt që u kanë premtuar atyre nga dikush ka bërë që të vijmë deri në këtë ndeshje“, përfundon trajneri i Llapit. /abcnews.al