Deputeti i Partisë Demokratike, Dashmor Sula ka komentuar dorëheqjen e mundshme të Gledis Nanos si drejtor i Policisë së Shtetit. Një lajm i tillë po qarkullon ditën e sotme në media, ndërsa Sula nënvizon arsyet përse kërkoi mbështetjen e ndërkombëtarëve për Nanon, duke e cilësuar këtë të fundit si të vetmin pa asnjë të shkuar të dyshimtë.
Deputeti demokrat shkruan se puna e tij në krye të policisë ka qenë me pengesa. Sula shprehet se kryeministri nuk mund të pranojë “të ketë një Drejtor Policie që mund ti surprizojë nga dita në ditë”.
“Ai do në krye të bluve një njeri që si çdo gjë në vend ta ketë lehtësisht të kontrollueshëm. Nëse kjo nuk është pranuar vërtet nga Gledis Nano, ai do jetë shembull frymëzimi për tu mos bërë pjesë e pazareve e presioneve”, shkruan Sula.
Reagimi i plotë:
Pse kërkoja mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga partnerët ndërkombëtarë!
Kur Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pata deklaruar se në krye të uniformave blu për herë të parë shkonte një njeri pa asnjë të shkuar të dyshimtë. Po ashtu thash që Nano nuk shkon në atë post për shkak të lidhjeve politike.
Ndërkohë vetëm në fillim të muajit gusht i bëra thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesnin Gledis Nanon në punën e tij sepse ka sfida të shumfishta. Se nuk do përballej vetëm me krimin e organizuar por edhe me mbrojtësit me pushtet të tyre.
Fatkeqësisht koha më dha të drejtë. Mediat por edhe burimet e mia më konfirmojnë se Gledis Nano ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme dhe ky veprim pritet të publikohet të mërkurën.
Mbetet për tu patë sesi do vijojnë zhvillimet por është e qartë që në puna e tij në më pak se 1 vit në krye të policisë ka qenë e mbushur me pengesa. (Mos këtu se është i yni e mos aty se është i yni). Kryeministri nuk mund të pranojë që të ketë një Drejtor Policie që mund ti surprizojë nga dita në ditë. Ai do në krye të bluve një njeri që si çdo gjë në vend ta ketë lehtësisht të kontrollueshëm.
Nëse kjo nuk është pranuar vërtet nga Gledis Nano, ai do jetë shembull frymëzimi për tu mos bërë pjesë e pazareve e presioneve. Ai do i jap leksion të mirë politikanëve që pushteti individual nuk është më i rëndësishëm se siguria, mirëqënja e të gjithë shqiptarëve.
/abcnews.al