Deputeti demokrat Dashnor Sula i ftuar në ‘Log.’ në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka komentuar situatën politike brenda PD të ditëve të fundit, ku janë shtuar zërat e deputetëve që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës.
Sula tha se në ditët e fundit ka parë një reflektim nga ana e Bashës, por nëse ai nuk do të japë dorëheqjen atëherë ky do të ishte një zhgënjim shumë i madh.
Sipas tij sot më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është bashkimi i të gjithë demokratëve.
‘Në radhë të parë e kam thënë në çdo moment ndihem shumë keq, i trishtuar për gjendjen ku ndodhet aktualisht PD. Kam që nga data 9 shtator ku kam apeluar kudo, jam munduar të jap kontributin tim që demokratët të jenë të gjithë të bashkuar. Në 18 Dhjetor kamë deklaruar publikisht që dora ime nuk do të votojë largimin e asnjë demokrati nga PD. Kam abstenuar edhe për largimin e Sali Berishës. E kam thënë do të bëj të pamundur që PD të jetë e bashkuar, por politika nuk është shkencë ekzakte, ka dinamikën e vet, ka momente që sjell ndryshimi të forta, dhe nëse një politikan nuk reflekton atëherë ka të meta të thella në politikë. Unë i kam thënë dhe zotit Basha duke i vënë edhe mandatin për bashkimin e demokratëve. Kam parë një refleksion nga zoti Basha, duke menduar se do t’i hapë rrugë PD-së me anë të dorëheqjes së tij, nëse kjo nuk ndodh do të ishte një zhgënjim shumë i madh’, tha Sula. /Abcnews.al/