Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan e ka përsëritur edhe një herë se Suedia nuk duhet të presë që Turqia ta mbështesë me anëtarësimin në NATO, “pa kthyer terroristët.” Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, ndërsa raportohet se presidenti turk është shprehur po ashtu se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të vijnë në Turqi për të bindur vendin që t’i mbështesë.
Deklaratat, Erdoğan i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur para ligjvënësve nga partia e tij në pushtet AK.
Erdogan tha: “Ne kemi një ndjeshmëri të lartë kur vjen puna te mbrojtja e kufijve tanë nga sulmet e organizatave terroriste. Zgjerimi i NATO-s është kuptimplotë për ne vetëm në raport me respektin që do të tregohet ndaj ndjeshmërisë sonë.”
Turqia ka akuzuar Suedinë dhe Finlandën se strehojnë njerëz që ajo thotë se janë të lidhur me grupet që i konsideron terroriste, duke përfshirë grupin militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe pasuesit e Fethullah Gylenit, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016.
Të hënën, transmetuesi shtetëror i Turqisë TRT Haber tha se Suedia dhe Finlanda nuk e kanë dhënë miratimin për riatdhesimin e 33 personave që kërkoi Turqia.
Erdogan shtoi: “Pra, nuk do të na ktheni terroristët, por na kërkoni anëtarësimin në NATO? NATO është një ent për sigurinë, një organizatë për sigurinë. Prandaj, ne nuk mund t’i themi ‘po’ kësaj organizate të sigurisë që i hiqet siguria.” /abcnews.al/