Suedia fiton kundër Koresë së Jugut

schedule16:25 - 18 Qershor, 2018

schedule 16:25 - 18 Qershor, 2018

U shënua vetëm një gol në stadiumin e Nizhni Novgorodit, në ndeshjen mes Suedisë dhe Koresë së Jugut. Fituan suedezët, duke vënë nën presion të madh Gjermaninë.

Rroftë oportunizmi ishte motoja e kësaj ndeshjeje. Në një Botëror ka edhe lojëra të tilla, ku duhet të vijë ndonjë penallti për të arritur deri tek goli. Këtë 11-metërsh e fitoi Suedia në pjesën e dytë, dhe me të fitoi tri pikët përballë Koresë së Jugut.

U desh madje përdorimi edhe i VAR-it për ta sanksionuar ndëshkimin kapital për aziatikët. Granqvist i dha fund edhe një mallkimi prej 382  minutash që kombëtarja e tij kishte pa shënuar, që nga Marsi i këtij viti.

Me pragmatizëm apo jo, fitorja ishte e rëndësishme sepse e vendos Suedinë në pozita të forta në grupin F, në prag të përballja e radhës, Suedi-Gjermani. Koreja e Jugut nuk ia doli të ishte në lartësinë e nordikëve të Europës në pjesën më të madhe të ndeshjes në stadiumin e Nizhni Novgorodit.

Portieri Jo u bë shpëtimtar i portës në disa raste, sidomos me pritjen e minutës së 21, që mund të quhet pritja më e mirë e Botërorit deri tani. Vetëm në minutat e fundit, nën nxitjen e yllit kryesor, lojtarit të Tottenham-it, Son, koreanojugorët arritën të rrezikonin dhe fare mirë mund të kishin barazuar rezultatin.

Suedia kryeson grupin me tri pikë, baraz me Meksikën, ndërsa Gjermania tani është nën presion maksimal për të mos bërë asnjë gabim në dy ndeshjet e mbetura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!