“Subvencionim i plotë i biletës së transportit urban”, Berisha: Të përgjysmohet taksa e naftës

schedule12:11 - 8 Gusht, 2022

schedule 12:11 - 8 Gusht, 2022

Në një deklaratë për mediet nga seli blu, Sali Berisha ka kërkuar subvencionim të plotët ë biletave të transportit urban dhe interurban nga qeveria. Duke e cilësuar situatën ekonomike shumë të rëndë, ish-kryeministri kërkoi gjithashtu përgjysmimin e taksës së naftës.

Berisha: Për shkak së pari të çmimeve stratosferike, të krijuara në mënyrën më artificiale nga bordet e Edi Ramës. Për shkak të përdorimit të të ardhurave buxhetore nga Edi Rama dhe qeveria e tij në funksion të vjedhjes dhe shpërdorimit të tyre masiv, siç është rasti i disbursimit të vazhdueshëm të fondeve publike mbi veprën e krimit, të cilësuar të tillë, djegësat e Fierit dhe Tiranës.  Siç është rasti i ligjit të Parlamentit për të financuar me qindra milion euro klientelën e Edi Ramës me të cilën ai ndan paratë, siç është rasti i prokurimeve, siç është ajo e Korridorit blu apo korridorit të Hajnisë. Të gjitha këto po rrënojnë me shpejtësi ekonominë shqiptare. Buxhetet familjare dhe ajo që po e ndjen në mënyrën më të fuqishme është turizmi. Në këto rrethana emergjente PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban në territorin e Shqipërisë. Ky propozim nuk është i pabazuar. Është i bazuar në një praktikë të cilën kanë vendosur një seri vendesh evropiane. Së dyti, PD kërkon përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës, që me vlerën 1.1 euro është më i larti në botë. Ai është shndërruar në faktor kryesor të çmimit stratosferik të kësaj lënde djegëse në Shqipëri. Përgjysmimi i kësaj barre fiskale, do të shoqërohej me një ulje korresponduese po kaq të rëndësishme të çmimit të naftës. Ata që mendojnë se arka do boshatiset, kjo nuk është e vërtetë. Mjafton që qeveria të zhdoganojë naftën që kalon jashtë sistemit doganor në Shqipëri. Nuk ka asnjë mundësi që nafta të jetë kontrabandë, veçse kur patronohet nga dora e zezë e qeverisë.

Më tej, ai paralajmëroi kryeministrin Rama se do të jenë vetë qytetarët shqiptarë ata që me revoltën e tyre do bëjnë të mundur plotësimin e këtyre kërkesave.

Berisha: Unë jam i vetëdijshëm se Edi Rama me arrogancën e tij dhe vesin e tmerrshëm të vjedhjes dhe pasurimit duke vjedhur fondet dhe pasuritë publike, nuk merr dhe nuk do marrë parasysh këto kërkesa. Por unë e garantoj se qytetarët shqiptarë, me revoltën e tyre të ardhshme, do vendosin për këto kërkesa dhe kërkesa të tjera të programit të emergjencës së PD, siç është indeksimi i çmimeve dhe masa të tjera shumë të rëndësishme./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!